Pallati në Unazën e qytetit, ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm i shkaktuar nga një bombol gazi, është vlerësuar i pabanueshëm dhe paraqet rrezik për sigurinë e banorëve. Konstatimet janë bërë gjatë inspektimit në terren nga drejtoresha e Institutit të Ndërtimit, Persida Shkrepa, në prani të kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.
Drejtoresha e Institutit të Ndërtimit, Persida Shkrepa, bëri të ditur se godina është ndërtuar në vitet ’70 dhe ka një strukturë të përbërë nga soletë SAP dhe tulla silikate. Sipas vlerësimit të saj, shpërthimi me fuqi të madhe, i shoqëruar edhe me dëmtimet e shkaktuara nga zjarri, ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në strukturën e objektit.
Shkrepa theksoi se situata paraqitet problematike për shkak të rrezikut të shembjes së katit të pestë, çka mund të sjellë dëmtime të mëtejshme si në strukturat ngjitur, ashtu edhe në vetë pallatin. Ajo nënvizoi se e gjithë godina është e pabanueshme dhe se nevojitet marrja e masave të menjëhershme për sigurimin e saj. Të dy seksionet nuk duhet të aksesohen nga banorët, ndërsa çdo hyrje e domosdoshme në objekt duhet të kryhet vetëm nën shoqërimin e forcave zjarrfikëse. Gjithashtu, duhet të merren masa për sigurimin e objekteve përreth, në një rreze prej 30 metrash.
Ndërsa kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u ndal te angazhimi i strukturave gjatë menaxhimit të situatës emergjente, duke bërë të ditur se që prej momentit të parë në terren kanë qenë forcat e Emergjencave Civile, shërbimi zjarrfikës dhe ekipet e kërkim-shpëtimit. Ndërhyrja është përqendruar te evakuimi i banorëve, shuarja e zjarrit dhe operacionet e kërkim-shpëtimit. Llatja bëri të ditur se gjatë operacionit u bë e mundur nxjerrja e dy trupave nga godina, ndërsa gjatë orëve të mbrëmjes grupi i kërkim-shpëtimit vijoi ndërhyrjen për nxjerrjen dhe evidentimin e trupit të viktimës.
Llatja theksoi se fuqia e shpërthimit dhe dëmtimet e rënda strukturore e kanë bërë të domosdoshme ndërhyrjen e Institutit të Ndërtimit për një ekspertizë të specializuar, ndërsa siguria e banorëve mbetet përparësi.
Kryetari bëri të ditur se Bashkia Elbasan ka marrë masa të menjëhershme për akomodimin e familjeve që mbetën pa mundësi strehimi. Një pjesë e banorëve janë strehuar pranë të afërmve, ndërsa ata që nuk kishin një mundësi tjetër janë akomoduar në konviktin e qytetit, ku u janë siguruar edhe veshmbathjet dhe nevojat e domosdoshme. Banorët do të vijojnë të qëndrojnë në strukturat akomoduese të Bashkisë deri në përfundimin e vlerësimeve dhe procedurave nga institucionet përgjegjëse.
Gjatë deklaratës së tij, Llatja iu përgjigj edhe diskutimeve dhe pretendimeve të ngritura në rrjetet sociale lidhur me kapacitetet e shërbimit zjarrfikës të Elbasanit. Ai sqaroi se shërbimi disponon mjete dhe pajisje të reja, të cilat janë funksionale dhe në gatishmëri për ndërhyrje, përfshirë autoshkallën zjarrfikëse dhe pajisjet e specializuara. Duke iu referuar pamjeve të ndërhyrjes, ai shpjegoi se stabilizimi i pozicionit të zjarrfikësit gjatë operacionit dhe komandimi i pompës së mjetit zjarrfikës janë dy procese të ndryshme teknike. Sipas tij, njoftimi për stabilizimin në pozicionin e luftimit të zjarrit nuk duhet të ngatërrohet me momentin e hapjes së presionit të ujit në sistemin e pompës.
Në përfundim, Llatja theksoi se pas marrjes së raporteve dhe vlerësimeve nga institucionet përgjegjëse, Bashkia Elbasan do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me legjislacionin për emergjencat civile, duke garantuar vijimin e mbështetjes për familjet e prekura.
