Koreja e Veriut ka dënuar projekt-rezolutën e paraqitur nga Bashkimi Evropian në Kombet e Bashkuara për situatën e të drejtave të njeriut në vend, duke e cilësuar atë si një provokim të motivuar politikisht. Në një deklaratë të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, misioni i Koresë së Veriut në OKB akuzoi BE-në se po shtrembëron situatën dhe politikën e të drejtave të njeriut në vend. Pheniani e cilësoi nismën një “farsë” dhe deklaroi se të drejtat e njeriut nuk janë monopol i Perëndimit.

Në reagimin e saj, Koreja e Veriut iu kundërpërgjigj kritikave të BE-së duke përmendur protestat dhe ndërhyrjet policore në qytetet evropiane, përfshirë Parisin dhe Brukselin, ku ndodhet selia e unionit. “BE-ja do të bënte mirë të merrej me punët e veta, në vend që të ekzagjeronte problemet joekzistente të të drejtave të njeriut”, thuhet në deklaratën e misionit koreano-verior, sipas KCNA-së. Projektrezoluta pritet të miratohet nga Komiteti i Tretë i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së gjatë muajit nëntor dhe më pas të kalojë për miratim përfundimtar në seancë plenare.

Pheniani është kritikuar prej vitesh nga Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Akuzat përfshijnë ekzistencën e kampeve të paraburgimit, kufizimet e lirisë së shprehjes dhe mungesën e aksesit të lirë në informacion. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar çdo vit që nga viti 2005 rezoluta që dënojnë shkeljet e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: