Gjatë konferencës me ambasadoren e BE-së, kryeministri Edi Rama tha se situata në Shqipëri nuk mund të krahasohet me atë në Serbi, ndërsa bëri dallimin mes protestave masive të fillimqershorit dhe atyre që, sipas tij, më pas degraduan në dhunë.
Ai theksoi se qeveria ka marrë masa për t’iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve, duke përmendur uljen e TVSH-së për shportën në 6%, uljen e çmimit të naftës me 32 lekë dhe rritjen e transparencës për projektet në Zvërnec e Sazan.
Rama tha se i ka dëgjuar çdo ditë protestuesit, por nuk ka dëgjuar prej tyre asnjë ide apo program për Shqipërinë, ndërsa theksoi se dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur demokratikisht nuk mund të imponohet nga rruga.
Ai deklaroi se përparësia e tij është mbyllja e negociatave me BE-në në vitin 2027 dhe pretendoi se në protestat në bulevard ka pasur përfshirje të elementëve të lidhur me regjimin iranian, për të cilët tha se ka fakte.
Deklarata e plotë e Ramës:
“Sa e ngjashme është Shqipëria me Serbinë dhe situatat atje me këtu, këtë mund ta konstatoni duke krahasuar qëndrimin e BE-së ndaj ndryshimit në Serbi dhe ndryshimeve të mëdha që ka bërë Shqipëria këtë vit. Janë dy realitete që s’kanë asgjë të përbashkët, pavarësisht përpjekjes për t’i bashkuar në funksion të një agjende që nuk është e BE-së, e qeverisë, por e atyre që duan të rrëzojnë qeverinë me dhunë.
Sa i takon pastaj mobilizimit të madh, e kam bërë dallimin mes protestave masive të fillimqershorit dhe degradimit më pas të bulevardit në një arenë sorrash dhe korbash, që nuk kishte se si të mos sillte te dhuna, sepse ishte e dhunshme pa qenë me gurë dhe molotovë, kur parrullë kishte ‘S’ka dialog, jep dorëheqjen’.
Legjitime në demokraci që ta mendojnë kështu, totalisht ilegjitime të përdoret guri dhe zjarri në funksion të këtij mendimi, por në funksion të protestave ne kemi bërë hapa të rëndësishëm për arsyet e mobilizimit qytetar.
Hapa në drejtim të transparencës. Me këtë rast kujtoj se kemi publikuar gjithçka lidhur me Zvërnecin dhe Sazanin dhe nuk kemi parë asnjë kontestim përmbajtësor, pasi gjithçka është në anën tonë sa i takon procesit të ndjekur, ligjshmërisë dhe moralit të republikës që ne përfaqësojmë.
Me buxhetin e ri kemi adresuar çështje të cilat lidhen me anën ekonomike të shqetësimeve të njerëzve, që nga realizimi i zotimit të kahershëm të uljes së TVSH-së për shportën në 6%, deri tek ulja e çmimit të naftës në pompë me 32 lekë, duke rispostuar taksën e qarkullimit tek automjeti, dhe të tjera gjëra.
Kam dëgjuar që është quajtur kthimi tek e majta ideologjike. Këta nuk dinë çfarë flasin. Është krijimi i mundësive për të rishpërndarë më shumë nga rritja ekonomike. Ajo që ka qenë prej kohësh objektivi dhe shqetësimi ynë kryesor, si të rishpërndajmë më shumë duke rritur ekonominë.
Nuk e bën e majta dhe e djathta vezën e kuqe, por vetëm ekonomia që na jep sot mundësitë. Ekonomia jonë rritet, ndryshe nga çfarë mund të thuhet, dhe rritja e saj na ka dhënë mundësinë të shpërndajmë masivisht me një paketë të re.
Ky është realiteti i fakteve, të tjerat janë si zhurmat e makinave.
Dua të them që unë i kam dëgjuar me më shumë vëmendje ata që kanë ardhur këtu poshtë çdo ditë. I kam dëgjuar sepse kam qenë i detyruar të dëgjoj, sepse ndërkohë që ata ulërinin, shanin, kërcënonin dhe kërkonin dorëheqjen duke thënë ‘S’ka dialog’, unë isha duke punuar me zërin e tyre në sfond.
Di gjithçka është thënë aty, se është përsëritur aq shumë sa e kam mësuar përmendësh. Di bejtet me muzikë, këngët fyese, por s’kam marrë dot shënim asnjë ide, asnjë program, opsion për Shqipërinë.
Përfitoj nga rasti për t’i risqaruar të gjithë, lidhur me faktin se në asnjë rast dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur demokratikisht nuk imponohet nga rruga, por në rastin tim ka një specifikë tjetër që është ky këtu.
Kilometri i fundit i negociatave është i ndarë në 1000 metra dhe çdo metër është i ndarë në 100 cm dhe çdo cm do njeriun mbi kokë të fushës përkatëse, sepse këtu është e shkruar e zeza me të bardhë mbyllja e negociatave, objektiv ambicioz, por i arritshëm.
Nëse arrihet, arrihet duke u fokusuar këtu, jo duke humbur mendjen pas këngëve kërcënuese, gurëve, molotovëve dhe agjendave që kanë lidhje me këtë mision kombëtar.
Është e lehtë të bësh ironi me përfshirjen e aktorëve të huaj, por përfshirja e tyre është reale dhe nuk isha unë apo një përfaqësues i institucioneve tona, por një personalitet i Francës për ndërhyrjet malinje në vendet demokratike që para pak ditësh tha që Shqipëria ka qenë pjesë e kësaj lufte hibride.
S’kam thënë kurrë që protestat i organizoi Irani, por duar të regjimit kriminal të Teheranit janë në bulevard dhe janë me fakte.
Çuditërisht, ushtria dixhitale iraniane, e identifikuar prej nesh si shumë aktive në shpërndarje videosh me zogj, u shfaq aktive në goditjen e Parisit. Këto janë fakte.
Shkaku është këtu. Detyra jonë është të adresojmë shkakun. Por të jemi të vetëdijshëm çfarë po bëjmë, të shohim faktet, të pranojmë reciprokisht kush ka dhe s’ka të drejtë, në vend se të gëzohemi për viralitetin që u jep videove tona ndërhyrja e atyre që nuk e duan Shqipërinë këtu, që Shqipëria të fokusohet këtu, që 2027 të mbyllet me sukses, por duan që ne të merremi me historitë e panumërta që nxiten çdo ditë dhe pas të cilave rrotullohemi çdo ditë, ku gjëja më skandaloze, më e turpshme ka qenë justifikimi në kor i dhunës.”
Lajmi kryesor:
Ambasadorja e BE: Dhuna nuk ka vend në protesta! Rama: Dorëheqja nuk imponohet nga rruga, nga nesër dritare dialogu online (VIDEO)








