Kryeministri Edi Rama paralajmëroi masa penale dhe administrative ndaj personave që sulmojnë efektivët e policisë apo bllokojnë rrugët gjatë protestave.
Deklarata u bë gjatë konferencës së përbashkët me ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa.
Gjatë fjalës së tij, Rama iu referua të kaluarës së tij si student dhe pedagog, duke e krahasuar angazhimin e atëhershëm kundër regjimit me protestat e sotme. Ai deklaroi se nuk do të tërhiqet përballë presionit dhe paralajmëroi ndjekje penale dhe masa administrative për veprimet që përmendi.
“Unë nuk jam më as student dhe as pedagog, por vij nga një rrugë ku kam qenë student dhe pedagog dhe ku, bashkë me studentët, kam dalë kundër një regjimi real dhe jo një regjimi imagjinar, vetëm për një arsye: për të qenë i lirë. Kush mendon se me trembje, frikë apo dhunë do të ketë impakt tek unë, i ka bërë llogaritë gabim. Dhe do ta marrë përgjigjen edhe penalisht, edhe administrativisht, si ata që ngrenë dorën kundër policisë, ashtu edhe ata që bllokojnë rrugët”, u shpreh Rama.