Detaje të tjera kanë dalë në dritë nga dosja hetimore që lidhet me ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, dhe kontaktet e dyshuara të saj me biznesmenin Ergys Agasi. Në materialet e hetimit përfshihen komunikime të Agasit me dy shtetas izraelitë, të cilat janë bërë objekt shqyrtimi nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.

Sipas të dhënave të dosjes, në telefonin celular të biznesmenit, të sekuestruar në momentin e arrestimit, janë gjetur mesazhe që përmendin drejtpërdrejt drejtuesen e shërbimit sekret.

Në një prej bisedave me shtetasin izraelit të identifikuar si Shalev I., Agasi pretendon se ka një marrëdhënie të afërt personale me drejtuesen e institucionit të inteligjencës.

“E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret”, shkruan ai në komunikimin e administruar në dosje.

Një tjetër mesazh, i shkëmbyer me shtetasin izraelit Srulik E.K., përmban pretendimin se drejtuesja e shërbimit sekret do të zhvillonte një takim me të, gjatë të cilit do t’i paraqiste materiale dhe prova lidhur me një çështje hetimore. Në komunikim pretendohet gjithashtu se prokurori përgjegjës po e ndiqte çështjen për interesa të tjera.

Këto biseda kanë tërhequr vëmendjen e hetuesve, të cilët dyshojnë se kontaktet ndërkombëtare të Agasit mund të kenë shërbyer për interesa të një grupi të dyshuar kriminal.

Në dosje, organi i akuzës argumenton se komunikimet me personat e huaj, të identifikuar si Shalev Israel dhe Srulik Einhorn Koces, krijojnë dyshime për ekzistencën e një rrjeti ndërkombëtar që mund të përdorej edhe për të lehtësuar largimin apo fshehjen e personave nën hetim.