Universiteti i Mitrovicës së Veriut hedh poshtë pretendimet për ndërhyrje politike

Kolegji i Rektorit të Universitetit të Mitrovicës së Veriut, që funksionon në kuadër të sistemit serb, deklaroi se mjedisi akademik nuk duhet të kthehet në skenë të konflikteve politike. Sipas tij, rektori, prorektori dhe drejtuesit e fakulteteve i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre me ndërgjegje dhe përgjegjësi.

Reagimi pasoi kërkesën e 24 pedagogëve, mes tyre edhe kandidatë të Listës Studentore që fitoi zgjedhjet në Serbi, për largimin e rektorit dhe prorektorit. Ata i akuzojnë drejtuesit për cenim të autonomisë universitare, presion politik ndaj punonjësve dhe lejim të ndikimit partiak.

Të lidhura

None found

Në kërkesën e tyre, pedagogët shprehen se, përmes veprimeve të drejtuesve, janë vënë në rrezik liritë akademike, dinjiteti i profesionit të mësimdhënësit dhe e ardhmja e një institucioni me rëndësi të veçantë për mbijetesën e popullit serb në Kosovë dhe Metohi.

Kolegji i Rektorit kundërshtoi që funksionet drejtuese të trajtohen si çështje e përçarjes politike, duke i cilësuar ato si përgjegjësi akademike dhe institucionale.

Në reagim thuhet se mbrojtja e autonomisë kërkon që institucioni të ruhet nga ndikime të ndryshme politike dhe që ligji, standardet akademike e procedurat institucionale të respektohen vazhdimisht. Universiteti, sipas Kolegjit, nuk duhet të shndërrohet në arenë për përplasje politike.

Për akuzat se ka mbështetur qëndrimet dhe vendimet e Listës Serbe dhe se ka ushtruar presion ndaj punonjësve për të siguruar përkrahjen e Partisë Progresive Serbe dhe të ish-presidentit Aleksandar Vuçiq, universiteti u përgjigj se pajtueshmëria me politikën shtetërore dhe kuadrin institucional të Serbisë nuk është e njëjtë me veprimtarinë partiake.

Sipas reagimit, veprimi në përputhje me politikën shtetërore dhe kornizën ligjore në fuqi nuk përbën vetvetiu angazhim politik dhe as keqpërdorim të detyrës akademike.

Universiteti, i zhvendosur nga Prishtina më 1999, vijoi punën nën sistemin e Serbisë. Në të janë të angazhuar edhe zyrtarë të lartë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Tanja Vujoviq, e cila është edhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, drejton Fakultetin Ekonomik si dekane. Ndërkaq, Zllatan Ellek, kryetar i Listës Serbe, mban postin e prodekanit në Fakultetin e Mjekësisë.

Kandidatët e Listës Studentore dhe pedagogët që i përkrahin ata thonë se rezultatet e zgjedhjeve në Serbi dëshmuan se qytetarët votuan për ndryshim. Sipas tyre, në vend që të mbështeste studentët që nisën protestat kundër Qeverisë serbe, Universiteti i Mitrovicës së Veriut mbajti anën e pushtetit.

Kolegji i Rektorit, nga ana tjetër, theksoi se bindjet politike të individëve nuk kanë shërbyer as si përparësi, as si pengesë gjatë zbatimit të procedurave akademike.

Ai rikujtoi se Qeveria e Serbisë cakton përfaqësuesit e themeluesit në Këshillin e Universitetit, ndërsa universiteti nuk përfshihet në propozimin apo përzgjedhjen e tyre.

Të dhënat në ueb-faqen e Universitetit të Mitrovicës së Veriut tregojnë se të paktën pesë anëtarë të Listës Serbe, përfshirë kryetarin Zllatan Ellek, bëjnë pjesë në Këshillin e Universitetit si përfaqësues të Serbisë.

Mes anëtarëve të Këshillit është edhe Goran Rakiq, ish-kryetar i Listës Serbe dhe ish-deputet në Kuvendin e Serbisë, ku përfaqësonte Partinë Progresive Serbe.

Këshilli i Universitetit, organi drejtues i institucionit, ka gjithsej 19 anëtarë: 10 përfaqësojnë fakultetet, gjashtë themeluesin, pra Qeverinë e Serbisë, ndërsa tre janë përfaqësues të studentëve.


Shtuar më 5.11.2026 14:16

Quantcast