Zbardhen bisedat e Agasit me izraelitët: E kam shoqe të ngushtë shefen e SHISH-it
Vendimi i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që la në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, përmban detaje të reja mbi kontaktet e saj me biznesmenin Ergys Agasi, i cili ndodhej në arrati.
Në materialet e shqyrtuara nga gjykata pasqyrohen edhe komunikimet telefonike të Agasit me dy shtetas izraelitë, të identifikuar si Shalev I. dhe Srulik E.K. Në këto biseda, biznesmeni u referohet marrëdhënieve të tij me ish-kreun e SHISH-it dhe mundësisë që ajo të ndërhynte në çështje që lidhen me hetimet ndaj tij.
Në një prej mesazheve drejtuar Shalev I., Agasi shprehet se kishte marrëdhënie të afërt me drejtuesen e shërbimit sekret shqiptar, duke shkruar: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret”.
Një tjetër komunikim, këtë herë me Srulik E.K., përmban një deklaratë edhe më domethënëse lidhur me rolin që, sipas Agasit, mund të kishte Vlora Hyseni.
“Jemi me fat që këtu e kanë kapur vetë amerikanët dhe e dinë sjelljen e tij dhe diçka tjetër, drejtoresha e Shërbimit Sekret do të takohet vetë me të dhe do t’i flasë për këtë punë, duke i sjellë prova që prokurori e ka bërë këtë për interesa të tjera”, thuhet në mesazhin e dërguar nga Agasi.
Këto komunikime janë përfshirë në arsyetimin e GJKKO-së për vlerësimin e rrezikshmërisë dhe nevojën e vijimit të masës së sigurisë ndaj ish-drejtueses së SHISH-it.
Në vendim, gjykata vlerëson se kontaktet e ndërmjetësuara nga Agasi me dy shtetasit izraelitë, të cilët shfaqen në komunikimet që lidhen me çështjen e Hysenit, krijojnë dyshime për ekzistencën e një rrjeti kontaktesh ndërkombëtare, që mund të vihej në funksion të interesave të grupit kriminal.
Sipas arsyetimit të GJKKO-së, këto lidhje përbëjnë një element shtesë të rrezikut, pasi Hyseni, nëse do të qëndronte në gjendje të lirë, mund të kishte akses në kanale të privilegjuara komunikimi, largimi apo fshehjeje, të cilat do të ishin jashtë kontrollit efektiv të autoriteteve që po zhvillojnë procedimin penal.
Komunikimet me Agasin dhe informacionet për zhvillimet politike
Mesazhet me dy shtetasit izraelitë vijnë në një kohë kur në dosjen hetimore të SPAK-ut janë zbardhur edhe komunikime të tjera mes Ergys Agasit dhe Vlorës Hyseni.
Në këto biseda, të dy flisnin për persona që, sipas tyre, u dëshironin të keqen dhe po vepronin kundër interesave të tyre. Në komunikimet e bëra publike nga dosja, Hyseni shfaqet gjithashtu duke diskutuar me Agasin për zhvillime dhe lëvizje të mundshme në politikë.
Hetimet e SPAK-ut kanë vënë në qendër të vëmendjes marrëdhënien mes biznesmenit të kërkuar nga drejtësia dhe ish-drejtueses së institucionit përgjegjës për sigurinë dhe informacionin inteligjent të vendit.
Ndaj Vlorës Hyseni është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa është marrë edhe vendimi për shkarkimin e saj nga detyra.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta publike, për shkak të natyrës së kontakteve të dyshuara dhe pikëpyetjeve që ngre çështja mbi përdorimin e mundshëm të informacioneve dhe kontakteve të një drejtuesi të shërbimit inteligjent në funksion të interesave të një personi të kërkuar nga drejtësia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



