E enjte, 5 Nëntor 2026 Dielli i Dimrit deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Berisha: Raporti i KE-së damkos Ramën, pa ndryshime Shqipëria nuk ka të ardhme europiane

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se është përgjegjësi kryesor për problematikat e evidentuara në Progresraportin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Një ditë pas publikimit të raportit dhe konferencës së Ramës me ambasadoren e BE-së, Berisha doli në një deklaratë për mediat, ku e cilësoi dokumentin si të paprecedentë dhe pretendoi se Shqipëria, krahasuar me Malin e Zi, paraqitet si diktaturë autoritare.

“Ky është raport i paprecedent në historinë e raporteve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Cili të dojë të krahasojë këtë raport me raportin e funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor të Malit të Zi, do të gjejë se Shqipëria krahasuar me Malin e Zi është një diktaturë autoritare”, tha Berisha.

Berisha u ndal te problematikat që raporti evidenton për funksionimin e demokracisë, parlamentit dhe zgjedhjeve, duke akuzuar qeverinë për kontroll të institucioneve dhe mungesë të mbikëqyrjes parlamentare. Sipas tij, Komisioni Europian kërkon 115 ndryshime për vitin e ardhshëm, ndërsa ndër prioritetet përmendi reformën zgjedhore, rikthimin e kontrollit parlamentar mbi qeverinë dhe buxhetin, si dhe transparencën në prokurimet publike.

“Është ai, i cili me ndërhyrjet brutale në procesin zgjedhor, lejoi organizimin dhe organizoi vetë 4530 aktivitete për të ndikuar tek zgjedhësit shqiptarë. Është ai, i cili që nga viti 2020 gjer sot, ka marrë në duart e tij të zeza mbi 90 përqind të pushteteve në vend”, tha Berisha.

Reklamë

Kreu i opozitës ngriti gjithashtu shqetësimin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kontrollin e kufizuar parlamentar mbi ekzekutivin. Ai akuzoi mazhorancën për bllokimin e kontrollit institucional dhe veçoi rastin e moszbatimit të vendimeve të Kushtetueses, duke e lidhur këtë me çështjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë.

“Komisioni Evropian, për shkak të dështimit të vazhdueshëm të parlamentit për të zbatuar jo një, por disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, nuk zbatohen, shteti i të drejtës shkelmohet nga Padrinoja”, tha kreu i PD.

Në fokus të deklaratës së Berishës ishte edhe reforma zgjedhore, të cilën ai e cilësoi si urgjente. Sipas tij, procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të garantojë kushte të barabarta për të gjitha forcat politike, duke përfshirë edhe grupet që kanë marrë pjesë në protestat kundër qeverisë. Ai kundërshtoi gjithashtu reformën territoriale, duke pretenduar se projekti i mazhorancës synon centralizimin e pushtetit dhe bie ndesh me parimet europiane të demokracisë lokale.

“Raporti insiston se duhet urgjentisht një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. Kjo reformë zgjedhore duhet të përfshijë të gjitha partitë, të gjitha aspektet politike. Edhe ata që janë në shesh duhet t’i përfshijë para zgjedhjeve vendore të 2027-ës”, tha Berisha.

Sa i përket protestave, Berisha iu referua qëndrimit të ambasadores së BE-së për dialogun dhe përdorimin e forcës, duke akuzuar qeverinë për reagim disproporcional ndaj protestuesve. Ai kërkoi që shqetësimet e qytetarëve të marrin përgjigje, ndërsa e cilësoi si të pamjaftueshëm dialogun e propozuar nga kryeministri Rama.

Në përfundim, kreu i Partisë Demokratike deklaroi se me qeverisjen aktuale nuk mund të ketë një të ardhme europiane për Shqipërinë, duke e lidhur ecurinë e integrimit me ndryshimet që, sipas tij, duhet të ndërmerren në zgjedhje, drejtësi dhe funksionimin e institucioneve.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.