E enjte, 5 Nëntor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

“S’ka integrim me Ramën”, Berisha: Raporti i Komisionit Europian e damkosi kryeministrin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, analizoi Progresraportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, duke deklaruar se ky dokument përbën një akuzë për kryeministrin Edi Rama dhe mënyrën si ka qeverisur Shqipërinë.

Në një konferencë me gazetarët, Berisha deklaroi se ky raport përshkruan një diktaturë elektorale që është vendosur në Shqipëri.

“Edi Rama duhet të dorëhiqet! Të ardhme europiane me të nuk ka”, tha Berisha.

Berisha së pari mbështeti konstatimet e Komisionit Europian për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, ku vihej në dukje se fusha e lojës nuk ishte e barabartë në atë garë.

Reklamë

“Është Edi Rama arkitekti i shkeljes së parimit më themelor të zgjedhjeve të lira, barazisë në garë. Raporti e damkos, prandaj edhe i kishte rënë një nur i zbehtë në të zi!”, tha kreu i PD.

Elementi i dytë që kryetari i PD-së vuri në pah ishte parlamenti dhe kritikat e Brukselit në lidhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese që nuk zbatohen, si dhe kritikat që kërkesat e opozitës për komisione hetimore rrëzohen.

Dhe elementi i tretë ku u ndal Sali Berisha ishte korrupsioni.

“Përsëri në këtë kapitull kryefjalë është Lubia. Kjo monstër që u del qytetarëve në rrugë dhe u zë rrugën drejt Bashkimit Europian, sepse Palloshi i Gjatë është aksioner në vjedhjet e saj mbi 60 për qind”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe te kapitulli për mediat, duke kritikuar Autoritetin e Mediave për gjobat që ka vendosur ndaj televizioneve gjatë këtyre ditëve për qëndrimet që kanë mbajtur të ftuarit.

 “I patë ju ndrikullat e AMA-s se çfarë paturpësie ekstreme? Çojnë gjoba se fyhet Sulltani në studio”, tha kreu i PD.

Sipas Berishës, Progresraporti tregon se integrimit europian i hapet rruga vetëm nëse largohet kryeministri Edi Rama.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.