Pas gati një viti në burg në Dubai, 23-vjeçarja britanike kthehet në vendlindje dhe nis një punë të re online

Bella Daggett, 23-vjeçarja nga Yorkshire që u mbajt për gati një vit në burg në Dubai lidhur me akuza për drogë, është kthyer në Britani. Tashmë ajo siguron të ardhura duke publikuar fotografi dhe video provokuese në platforma me abonim për të rritur.

Sipas mediave britanike, përmbajtja që Bella ofron në “Fansly” kushton rreth 7.40 paund në muaj për abonimin bazë. Paketa premium arrin deri në 148 paund në muaj dhe reklamohet prej saj si një përvojë virtuale e ngjashme me një lidhje në çift. Ajo është shfaqur edhe në Stripchat me një pseudonim tjetër; në këtë platformë, modelet transmetojnë drejtpërdrejt dhe marrin pagesa e bakshishe nga përdoruesit.

Të lidhura

None found

Bella ishte zhvendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe për të nisur një punë të re në sektorin e rekrutimit. Ofertën e mirëpaguar ia kishte bërë një biznesmen me të cilin kishte bashkëpunuar më parë në Britani, ndërsa ajo shpresonte të ndërtonte një jetë të re atje. Por në mars 2025, vetëm pesë javë pas transferimit, policia e Dubait kontrolloi pronën ku po qëndronte dhe e arrestoi bashkë me një burrë tjetër.

Familja këmbënguli se Bella nuk kishte përdorur drogë dhe se ishte gjendur në atë situatë për shkak të shoqërisë dhe personave me të cilët qëndronte. Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk bënë kurrë publike hollësi të plota për akuzat konkrete ndaj saj.

Teksa mbesa e saj ishte në paraburgim, Heather Smith i tha “Daily Mail” se arrestimi lidhej me njerëzit me të cilët Bella shoqërohej. Gjyshja pretendoi gjithashtu se analizat nuk kishin treguar gjurmë droge në organizmin e saj. Sipas familjes, kushtet e burgimit ishin jashtëzakonisht të vështira.

Heather Smith tregoi se Bella kishte qëndruar një muaj pa bërë dush dhe rreth tre muaj pa ndërruar rrobat. Ajo tha se gratë e burgosura trajtoheshin më keq se burrat, të cilët, sipas saj, mund të dilnin jashtë, të merreshin me sport dhe të përdornin televizorë ose lojëra elektronike.

Nëna e Bellës, Lucinda Smith, 46 vjeçe, hapi një fushatë në GoFundMe për shpenzimet ligjore dhe të udhëtimit, përmes së cilës u mblodhën afro 1,500 paund. Në thirrjen për ndihmë, ajo shkroi se familja kishte prova të pafajësisë së vajzës dhe po bënte gjithçka për ta sjellë në shtëpi.

Akuzat për drogë ndaj Bella Daggett u rrëzuan në janar, pas muajsh pasigurie. Megjithatë, ndonëse kishte qenë e ndaluar për gati një vit, asaj iu kërkua të paguante rreth 3 mijë paund gjobë për tejkalimin e afatit të vizës.

Në mars, pothuajse një vit pas arrestimit, Bella u kthye në Britani, duke i dhënë fund pritjes dhe ankthit të gjatë të familjes. Për një periudhë ajo shmangu të fliste publikisht për atë që kishte përjetuar në Dubai, nga shqetësimi për ligjet e rrepta të Emirateve të Bashkuara Arabe mbi kritikat ndaj shtetit.

Në shtator, ajo ndau një mesazh emocional me rreth 22 mijë ndjekësit e saj në “Instagram”. “Një vit më parë po kaloja periudhën më të errët të jetës sime. Kur kthej kokën pas, ndihem shumë krenare për gjithçka që kam arritur të kapërcej”, shkroi Bella.

Ajo shprehu mirënjohje për jetën e re, njerëzit pranë saj dhe mundësitë që i janë krijuar pas kthimit në vendlindje. Pas përvojës së burgimit në Dubai, aktiviteti në platformat online për të rritur është bërë burimi i saj i ri i të ardhurave.


Shtuar më 5.11.2026 14:33

Quantcast