Buxheti për programin “Trashëgimia Kulturore dhe Muzetë” do të arrijë në 2,08 miliardë lekë në vitin 2027, me një rritje prej 80% krahasuar me vitin 2026.
Shifrat u prezantuan nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë diskutimit të projektbuxhetit në Komisionin e Kulturës, Turizmit dhe Diasporës.
Nga fondi i përgjithshëm, 1,11 miliardë lekë, ose 53%, janë parashikuar për investime me financim të brendshëm dhe të huaj. Sipas ministrit, fondi për investime është katërfishuar, duke krijuar mundësi për ndërhyrje në monumente dhe objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.
Një nga projektet kryesore për vitin 2027 është restaurimi dhe rikonstruksioni i Muzeut Historik Kombëtar, i shoqëruar me rikonceptimin e plotë të linjës muzeore. Projekti do të mbështetet edhe nga asistenca teknike e Bankës Evropiane të Investimeve.
Investime dhe restaurime janë parashikuar gjithashtu në Kalanë e Gjirokastrës, në Kalanë dhe kullat hyrëse të Beratit, në Amfiteatrin Romak të Durrësit dhe në Kalanë e Krujës. Ndërhyrje do të kryhen edhe në kisha, manastire dhe monumente të tjera në të gjithë vendin.
Një tjetër nismë e rëndësishme është restaurimi i banesave private monument kulture që rrezikojnë degradimin ose shembjen.
Për vitin 2027 synohet ndërhyrja në rreth 30 banesa në Gjirokastër, Berat dhe Shkodër. Sipas skemës së prezantuar nga Gonxhja, shteti do të mbulojë shpenzimet që lidhen drejtpërdrejt me mbrojtjen e vlerave kulturore, ndërsa pronarët do të përballojnë pjesën tjetër të kostos së restaurimit, sipas preventivit të miratuar.
Gjatë prezantimit, ministri u ndal edhe te rritja e numrit të vizitorëve në sitet e trashëgimisë kulturore. Në vitin 2013, këto objekte u vizituan nga 325 mijë persona dhe gjeneruan rreth 53 milionë lekë të ardhura.
Në vitin 2025, numri i vizitorëve kaloi 1,5 milionë, ndërsa vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2026 u regjistruan mbi 1,32 milionë vizitorë dhe më shumë se 528 milionë lekë të ardhura.
Gonxhja bëri të ditur gjithashtu se gjatë periudhës 2024-2026 listës së trashëgimisë së mbrojtur i janë shtuar 15 qendra historike, ansamble urbane dhe zona arkeologjike.
Ndërkohë, investimet në objektet e trashëgimisë kulturore gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2026 janë pesëfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në tërësi, projektbuxheti për vitin 2027 parashikon 7,65 miliardë lekë për sektorët e turizmit, kulturës, sportit dhe rinisë, me një rritje prej 3,5% krahasuar me vitin 2026.