Nga golat ndaj Man Cityt dhe Real Madridit në Ligën e Kampionëve te fanella e Shqipërisë – kush është Stavro Pilo?

Stavro Pilo po përjeton një periudhë të veçantë në karrierën e tij. Mbrojtësi i krahut të majtë të AEK Athinës ka arritur të shënojë në dy ndeshje radhazi në Ligën e Kampionëve, duke ndëshkuar dy prej klubeve më të mëdha të futbollit evropian: Manchester Cityn dhe Real Madridin.
25-vjeçari, i cili ka lindur në Greqi, por përfaqëson Shqipërinë në nivel ndërkombëtar, ka kaluar nëpër disa etapa të rëndësishme para se të bëhej pjesë e Kombëtares kuqezi. Historia e tij është edhe një tjetër shembull i futbollistëve me origjinë shqiptare të lindur dhe të formuar jashtë vendit, të cilët zgjedhin të përfaqësojnë Shqipërinë.
Në futbollin grek ai njihet si Stavros Pilios, ndërsa në fanellën e Kombëtares shqiptare paraqitet me emrin Stavro Pilo.
Nga akademitë greke te futbolli profesionist
Rrugëtimi i tij në futboll nisi në moshë të re. Në moshën 13-vjeçare, Pilo iu bashkua akademisë Elpides Ioanninon, ku nisi të zhvillohej si futbollist.
Tri vite më vonë, ai kaloi në akademinë e PAS Gianninas, klub ku vazhdoi formimin e tij dhe ku hodhi hapat e parë drejt futbollit profesionist.
Në janar të vitit 2019 nënshkroi kontratën e parë profesionale me PAS Gianninan. Në tetor të po atij viti debutoi në Kupën e Greqisë, në ndeshjen kundër Enosis Aspropyrgou, ndërsa dy muaj më vonë luajti për herë të parë në kategorinë e dytë greke.
Debutimin në elitën e futbollit grek e realizoi më 31 janar 2021, në përballjen me Atromitosin.
Huazimi te Iraklis dhe rikthimi te PAS Giannina

Në gusht të vitit 2021, Pilo u huazua te Iraklis Thessaloniki, skuadër që garonte në kategorinë e dytë të futbollit grek.
Aty arriti të kishte më shumë hapësira dhe në sezonin 2021/22 regjistroi 30 paraqitje, duke realizuar dy gola dhe duke dhënë një asistim.
Pas përfundimit të huazimit, u rikthye te PAS Giannina për sezonin 2022/23. Në këtë periudhë ishte një prej futbollistëve të rëndësishëm të skuadrës, duke regjistruar 24 paraqitje në kampionat, të gjitha me nga 90 minuta të luajtura, si dhe dy asistime.
Paraqitjet e tij nuk kaluan pa u vënë re nga klubet më të mëdha të Greqisë.
AEK-u i besoi në vitin 2023, tashmë është titullar

Më 23 qershor 2023, AEK Athina zyrtarizoi transferimin e mbrojtësit nga PAS Giannina, duke i ofruar kontratë deri në verën e vitit 2027.
Fillimisht, Pilo u aktivizua edhe me ekipin e dytë të AEK-ut, por gradualisht arriti të fitonte hapësira në skuadrën e parë.
Në sezonin 2023/24 regjistroi paraqitje në të dy ekipet, ndërsa në edicionet pasuese u bë një alternativë gjithnjë e më e rëndësishme në krahun e majtë të mbrojtjes.
Sezoni 2025/26 ishte një tjetër hap i rëndësishëm për të, pasi AEK-u fitoi titullin e kampionit të Greqisë dhe Pilo kontribuoi në suksesin e skuadrës.
Në gusht të vitit 2026, klubi grek e shpërbleu me një kontratë të re, duke e mbajtur në Athinë deri më 30 qershor 2030.
Në AEK luan edhe portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha.
Si përfundoi me fanellën e Shqipërisë?

Pavarësisht se kishte lindur në Greqi dhe ishte zhvilluar në futbollin grek, prejardhja familjare i hapi mundësinë që të përfaqësonte Shqipërinë.
Prindërit e tij kanë rrënjë nga Dropulli, ndërsa lidhja me vendin e origjinës së familjes bëri të mundur që ai të ishte në dispozicion të Kombëtares shqiptare.
Ish-përzgjedhësi i kombëtares shqiptare Sylvinho, e kishte ndjekur për një kohë të gjatë mbrojtësin e AEK-ut dhe vendosi ta përfshinte për herë të parë në listën e Shqipërisë më 21 mars 2026, për ndeshjet e ‘play-off-it të Kupës së Botës 2026.

Në konferencën për shtyp, përzgjedhësi brazilian shpjegoi edhe arsyen e përzgjedhjes së tij, duke thënë se Pilo ishte një futbollist me përvojë dhe i gatshëm për të kontribuar menjëherë.
"Ne e kemi ndjekur prej një kohe të gjatë. Është 25-vjeçar, me përvojë dhe i gatshëm. Nuk është ndeshje për eksperimente", ishte mesazhi i Sylvinhos për Pilon.
Pilo debutoi me fanellën kuqezi më 26 mars 2026, në ndeshjen kundër Polonisë, në Varshavë, ku Shqipëria u mposht 2-1 në gjysmëfinalen e ‘play-off’-it për Botërorin.
Goli ndaj Manchester Cityt – momenti i parë historik në Ligën e Kampionëve

Më 20 tetor 2026, Pilo përjetoi një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, duke realizuar golin e parë në Ligën e Kampionëve.
AEK-u ishte mysafir i Manchester Cityt në stadiumin “Etihad”, në një përballje ku skuadra angleze ishte favorite e madhe.
Vendasit kishin krijuar epërsi prej dy golash me Elliot Andersonin në minutën e 12-të dhe Phil Fodenin në minutën e 34-të.
Megjithatë, në minutën e 52-të, mbrojtësi shqiptar arriti të gjente rrugën e rrjetës. Pas një aksioni të shpejtë të AEK-ut, Pilo realizoi me një goditje të ulët, duke mposhtur portierin Gianluigi Donnarumma.
Manchester City vazhdoi dominimin dhe në fund fitoi me rezultat 5-1, me Fodenin që realizoi het-trik.
Pas Manchester Cityt, ndëshkon edhe Real Madridin

Nëse goli ndaj Manchester Cityt ishte një moment i veçantë, Pilo vendosi të përsëriste të njëjtën gjë edhe në përballjen e radhës me një tjetër gjigant të futbollit evropian.
Të mërkurën e 4 nëntorit, AEK-u priti Real Madridin në Athinë, në kuadër të fazës së ligës së Ligës së Kampionëve.
Skuadra greke kishte kaluar në epërsi me Aboubakary Koitan në minutën e 12-të, por Jude Bellingham barazoi shifrat në minutën e 32-të.
Kur rezultati ishte 1-1, në skenë doli sërish Stavro Pilo.

Në minutën e 75-të, pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asistimit të Koitas, mbrojtësi shqiptar përfundoi aksionin me një goditje të ulët, duke mposhtur Thibaut Courtois dhe duke e kaluar AEK-un në epërsi 2-1. Goli shkaktoi festë në stadiumin e Athinës dhe i dha Pilos një tjetër moment të paharrueshëm në karrierë.
Por, ashtu si ndaj Manchester Cityt, edhe këtë herë skuadra e tij nuk arriti të merrte rezultat pozitiv. Kylian Mbappe barazoi në minutën e 78-të, ndërsa Federico Valverde shënoi golin e fitores për Real Madridin në minutën e 92-të, për rezultatin përfundimtar 3-2.
Tashmë, pas këtyre paraqitjeve që kanë bërë jehonë, sytë e tifozëve kuqezi janë edhe më shumë te ai. Sepse Pilo nuk dëshiron të jetë vetëm futbollisti që ndëshkoi dy gjigantët evropianë, por një emër që synon të lërë gjurmë edhe me fanellën e Shqipërisë./Telegrafi/














































