Të paktën 18 fluturime në disa vende të Europës janë përfshirë nga kërcënime për bomba, duke shkaktuar devijime të avionëve dhe masa të shtuara sigurie në aeroporte.
Kjo është hera e dytë brenda javës që regjistrohen incidente të ngjashme në trafikun ajror europian.
Sekretarja britanike e Transportit, Heidi Alexander, i ka cilësuar kërcënimet si “alarme të rreme me qëllim keqdashës”. Sipas saj, autoritetet po ndjekin situatën, ndërsa deri tani nuk është raportuar për gjetjen e lëndëve shpërthyese në avionët e kontrolluar.
Në Romë, autoritetet aeroportuale kanë bërë të ditur se kanë marrë një kërcënim përmes postës elektronike nga një grup që prezantohet me emrin “Fighters of the Male State”.
Në mesazhin e publikuar pretendohej se grupi kishte në shënjestër atë që e quante një “regjim feminist”.
Ndërkohë, në Pragë, policia çeke konfirmoi se në katër avionë të kontrolluar pas kërcënimeve për praninë e një pajisjeje shpërthyese artizanale nuk u gjetën eksplozivë.
Incidentet kanë detyruar edhe ndërhyrjen e forcave ajrore. Një avion u shoqërua drejt aeroportit Fiumicino të Romës nga avionë luftarakë italianë, ndërsa ushtria bullgare njoftoi se avionët e saj shoqëruan tre mjete fluturuese drejt Sofjes.
Sipas analizës së BBC Verify, mesazhet e shkëmbyera në bordin e një avioni të devijuar, që udhëtonte nga Dublini drejt Romës, tregojnë se ekuipazhi ishte njoftuar për kërcënimin nga kontrolli i trafikut ajror.
Këto incidente vijnë vetëm pak ditë pas një vale tjetër kërcënimesh të ngjashme. Të martën, të paktën shtatë fluturime u prekën nga alarme për bomba, por edhe në ato raste kontrollet nuk zbuluan lëndë shpërthyese.