Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe kryesuesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si dhe me delegacionin që ai drejtonte.
Gjatë bisedës, kryeministri Kurti vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës në rrugën e zhvillimit dhe demokratizimit. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për zgjatjen e mandatit të Swisscoy dhe për rritjen e numrit maksimal të ushtarëve zviceranë në kuadër të KFOR-it.
Të lidhura
None found
“Mbi themelet e forta të lidhjes sonë me Zvicrën, që u vunë nga mërgata dhe mikpritja zvicerane në kohëra të vështira për shqiptarët e Kosovës, po ndërtojmë e avancojmë marrëdhëniet si Republikë, teksa po zgjerojmë bashkëpunimin, i cili me hyrjen në fuqi të EFTA-s muajin e kaluar shënon një kapitull të ri në tregtinë e lirë, përveçse të mallrave edhe shërbimeve”, tha kryeministri.
Palët diskutuan mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes qeverive dhe sektorëve të biznesit. Në takim u trajtua edhe rëndësia e Zvicrës në proceset integruese, ndërsa u nënvizua roli i z. Cassis, në cilësinë e kryesuesit, për zbatimin e standardeve të barabarta në raportimin e OSBE-së dhe për përfaqësimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë.

Ministri Cassis e ftoi kryeministrin Kurti në Samitin e Dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet në Cyrih në prill të vitit të ardhshëm. Nga ana e tij, Kurti tha se Cassis do të jetë i mirëpritur për një vizitë në Shtëpinë e Kosovës në Davos, në janar.







