Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion të Ukrainës pothuajse 1 miliard euro për të mbështetur sektorin energjetik gjatë muajve të dimrit. Lajmi është bërë i ditur nga ambasadorja e BE-së në Ukrainë, Katarina Mathernova, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Ukrinform”.
Sipas diplomates, që prej nisjes së pushtimit rus në shkallë të gjerë, Bashkimi Evropian ka shpenzuar rreth 4 miliardë euro për sektorin energjetik ukrainas, ndërsa paketa e dedikuar për këtë dimër arrin në afro 1 miliard euro.
Ndihma përfshin disa drejtime, mes të cilave mbështetjen financiare për kompanitë kryesore të energjisë, si “Ukrenergo”, si dhe financimin e blerjes së gazit.
Një pjesë e fondeve do të përdoret gjithashtu për zhvillimin e burimeve të rinovueshme, rritjen e efikasitetit energjetik dhe riparimin e infrastrukturës së dëmtuar apo të shkatërruar nga sulmet. BE-ja po mbështet edhe masat për forcimin e mbrojtjes pasive të objekteve energjetike.
Paketa përfshin edhe një komponent humanitar. Sipas Mathernovës, familjet në nevojë që jetojnë pranë vijës së frontit po përfitojnë mbështetje financiare për të përballuar dimrin.
Ndërkohë, Ukraina ka marrë deri më tani më shumë se 11 mijë gjeneratorë dhe pajisje të tjera për të garantuar furnizimin me energji në kushtet e dëmtimit të infrastrukturës.












