Komisioni Evropian vlerëson përparimin e Shqipërisë në përafrimin e legjislacionit bankar me standardet e Bashkimit Evropian, duke veçuar miratimin e ligjit të ri për Bankën e Shqipërisë. Raporti i vitit 2026 konstaton se kuadri ligjor tashmë është në përputhje me kërkesat evropiane për pavarësinë e bankës qendrore dhe ndalimin e financimit monetar të sektorit publik.
Ky vlerësim shënon një ndryshim të rëndësishëm krahasuar me raportet e mëparshme të Komisionit. Në vitin 2024, Brukseli kërkonte forcimin e garancive për pavarësinë personale të Guvernatorit dhe organeve drejtuese të Bankës së Shqipërisë, si dhe respektimin e plotë të ndalimit të financimit monetar. Një vit më pas, përafrimi i plotë i ligjit me legjislacionin e BE-së renditej ende ndër rekomandimet kryesore për Shqipërinë.
Në raportin e vitit 2026, Komisioni konstaton se “Legjislacioni është i përafruar me acquis-in e BE-së për pavarësinë e bankës qendrore dhe ndalimin e financimit monetar të sektorit publik”. Raporti evidenton se ligji i ri për Bankën e Shqipërisë u miratua në tetor 2026, duke e konsideruar këtë zhvillim një hap konkret drejt përmbushjes së standardeve evropiane.
Pavarësia e bankës qendrore është një prej kërkesave themelore të BE-së, pasi garanton që vendimmarrja për politikën monetare të ushtrohet në funksion të mandatit të institucionit. Ndërkohë, ndalimi i financimit monetar të sektorit publik vendos kufij ndaj financimit të drejtpërdrejtë të tij nga banka qendrore.
Përmirësimi pasqyrohet edhe në vlerësimin e përgjithshëm të kapitullit 17, “Politika ekonomike dhe monetare”. Në vitin 2025, Shqipëria konsiderohej mes një niveli të moderuar dhe të mirë përgatitjeje, me njëfarë përparimi. Në raportin e këtij viti, vendi vlerësohet me nivel të mirë përgatitjeje dhe përparim të mirë, ku miratimi i ligjit të ri për Bankën e Shqipërisë përmendet shprehimisht si një prej zhvillimeve pozitive.
Komisioni vlerëson gjithashtu nivelin e lartë të përafrimit me rregullat evropiane për ndalimin e aksesit të privilegjuar të sektorit publik në institucionet financiare. Ky vlerësim vjen pas njohjes, në raportin e vitit 2025, të kontributit të Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
Një tjetër fushë ku raporti evidenton përparim është modernizimi i sistemeve të pagesave. Ndryshimet e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë krijojnë mundësi për kalimin drejt standardeve ISO 20022 dhe SEPA, duke synuar rritjen e efikasitetit të pagesave elektronike. Sipas të dhënave të pasqyruara në raport, këto pagesa u rritën me 23% gjatë vitit 2025.
Vëmendje i kushtohet edhe përgatitjeve për sistemin e pagesave të menjëhershme, të bazuar në modelin TIPS, për të cilin bankat tregtare kanë nisur fazën e testimit. Megjithatë, Komisioni evidenton si detyrë për vijimin e reformave zbatimin e legjislacionit të pagesave dhe avancimin e mëtejshëm të kësaj infrastrukture.
Raporti e përshkruan sektorin bankar shqiptar si të mirëkapitalizuar dhe rentabël, me pozicione të forta likuiditeti. Në dhjetor 2025, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 20.4%, dukshëm mbi kërkesën minimale prej 12%. Ndërkohë, kreditë me probleme ranë në 3.8% në maj 2026, niveli më i ulët që prej vitit 2008.
Edhe financimi i ekonomisë ka shënuar rritje. Kredia për sektorin privat u zgjerua me më shumë se 14% në terma vjetorë gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Në të njëjtën kohë, mbikëqyrja bankare mbeti e kujdesshme, ndërsa Banka e Shqipërisë përmirësoi monitorimin e ekspozimit të bankave ndaj pasurive të paluajtshme dhe standardeve të kreditimit, duke marrë masa për administrimin e rreziqeve që lidhen me rritjen e shpejtë të kredive për banesa.
Në fushën e shërbimeve financiare, Komisioni evidenton miratimin e rregulloreve për rezervën e rrezikut sistemik dhe qëndrueshmërinë operacionale digjitale. Një zhvillim tjetër është licencimi, në mars 2026, i bankës së parë plotësisht digjitale në Shqipëri, që shënon një hap të ri në transformimin e shërbimeve bankare.
Raporti ndalet edhe te forcimi i kuadrit rregullator kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ndryshimet në rregulloret përkatëse dhe në kërkesat për licencimin e bankave synojnë rritjen e vigjilencës dhe adresimin e rekomandimeve të MONEYVAL-it.
Pavarësisht vlerësimit pozitiv, Komisioni përcakton edhe disa detyra për fazën e ardhshme, mes të cilave zbatimin e plotë të legjislacionit për pagesat, zhvillimin e sistemit të pagesave të menjëhershme dhe përafrimin e mëtejshëm të rregullave bankare me ato të BE-së.
Në tërësi, raporti i vitit 2026 evidenton përparim në pavarësinë ligjore të Bankës së Shqipërisë, modernizimin e pagesave dhe qëndrueshmërinë e sektorit bankar. Miratimi i ligjit të ri mbetet një prej arritjeve kryesore të këtij procesi, duke afruar më tej kuadrin institucional shqiptar me standardet evropiane.

