DOSSIER

Zbulohen dokumentet e vizitës së Ramiz Alisë në OKB, shtator-tetor 1990/ Nga delegacioni me 27 vetë, me në krye të birin, Arbenin, te dhuratat e shtrenjta prej argjendi e, 74 kg raki Skrapari, konjak “Bato” etj

07:12 - 06.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga DASHNOR KALOÇI

Pjesa e parë

Memorie.al / Plot 36 vite më parë, në javën e fundit të shtatorit 1990, kreu i Shqipërisë komuniste të asaj kohe,
Ramiz Alia, i cili mbante funksionet e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSh-së e gjithashtu të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në krye të një delegacioni të madh, u nis për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Pjesëmarrja e Ramiz Alisë në sesionin e 45 të OKB-së, pati një jehonë të madhe asokohe, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare, pasi ishte hera e parë që një nga udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, merrte pjesë në punimet e Asamblesë së OKB-së, gjë e cila nuk kishte ndodhur që nga viti 1961, kur Tirana zyrtare u përfaqësua në atë forum të lartë të politikës dhe diplomacisë botërore, me kryeministrin e asaj kohe Mehmet Shehu.

Edhe pse kanë kaluar 36 vite nga ajo kohe, ende dhe sot vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, pasi me përjashtim të ndonjë dëshmie të pjesëtarëve të atij delegacioni (kujtimet e Reiz Mailes, apo Lisen Bashkurtit), si dhe fare pak dokumenteve arkivore të publikuara në shtyp, asgjë tjetër nuk dihet rreth vizitës së kreut të shtetit shqiptar të asaj kohe, Ramiz Alia, në sesionin e 45 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, i cili i zhvilloi punimet për rreth tre javë rresht, deri në mesin e muajit tetor 1990.

Si p.sh.; Kur filloi përgatitja dhe përpilimi i protokollit përkatës për pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar në atë
forum të lartë të politikë botërore, kush ishin pjesëtarët e tjerë të delegacionit që shoqëruan Ramiz Alinë në atë
udhëtim të gjatë përtej Atlantikut dhe çfarë funksionesh mbanin ata; prej sa personash përbëhej stafi ndihmës që
shoqëroi delegacionin shqiptar dhe cilët ishin ata?! Kur filloi përgatitja dhe çfarë përmbante programi i vizitave
dhe takimeve të Ramiz Alisë gjatë gjithë periudhës që ata do të qëndronin në SHBA-ës? A u realizua i gjithë ai
program sipas protokollit përkatës dhe cilët ishin krerët e delegacioneve të huaja që takoi Ramiz Alia gjatë gjithë
ditëve të qëndrimit në SHBA-ës e, çfarë bisedoi ai me ta? Kush ishin shqiptarët e “mërgatës së vjetër”, me të cilët u
takua kreu i Shqipërisë komuniste gjatë asaj vizite, çfarë u bisedua në ato takime dhe a pati incidente me
“mërgatën reaksionare shqiptare”, të arratisur nga Shqipëria pas vitit 1945? Kush e organizoi pritjen që dha Ramiz
Alia për bashkatdhetarët në Boston, cilët ishin disa nga eksponentët e mërgatës shqiptare që asistuan aty dhe si
shkoi ai takim?

Cili ishte itinerari i udhëtimit të delegacionit shqiptar nga Tirana drejt SHBA-ës, përse u ndanë ata në disa grupe
dhe arsyet e qëndrimit një natë në Zvicër? Përse ishte pjesë e delegacionit shqiptar, edhe Arben Alia, i biri i kreut
të shtetit, Ramiz Alia dhe si u “justifikua” pjesëmarrja e tij në përbërje të delegacionit në fjalë? Sa dhe cilat ishin
dhuratat që mori me vete delegacioni shqiptar me në krye Ramiz Alinë dhe kujt iu dhuruan ato në Zvicër e SHBAës? Përse u caktua Hotel “Plaza” (hoteli në pronësi të presidentit të sotëm të SHBA-ës, Donald Trump), për
akomodimin e Ramiz Alisë dhe disa pjesëtarëve të tjerë të atij delegacioni? Sa kushtoi nga ana financiare e gjithë
ajo vizitë, përse u shtuan fonde të tjera gjatë periudhës që delegacioni ndodhej në SHBA-ës dhe si u justifikuan ato
shpenzime?

Përse stafi i diplomatëve shqiptarë që shërbenin në Misionin e OKB-së, u kujdesën që t’i jepnin Ramiz Alisë dhe
një planimetri të saktë të sallës ku do mbahej sesioni i 45 i OKB-së, duke i përcaktuar edhe vendin ku do ulej
përfaqësuesi kryesor i delegacionit të Republikës Federative të Jugosllavisë?! Kush ishin dy truprojat (mjeku dhe
shoferi) që shoqëruan Ramiz Alinë gjatë gjithë asaj vizite dhe si u bë e mundur që ata të udhëtonin në avion me

armatim dhe municion me vete? Cilët ishin pjesëtarët e grupit të xhirimit të Radio-Televizionit Shqiptar që
shoqëruan delegacionin dhe çfarë detyrash iu dhanë atyre? Lidhur me këto etj., na njohin dokumentet arkivore të
nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë
dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al.

DOKUMENTI ARKIVOR ME PËRBËRJEN E DELEGACIONIT SHQIPTARË QË DO MERRNIN PJESË NË
MBLEDHJEN E ORGANIZATËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA NË NEW YORK

PËRBËRJA E DELEGACIONIT TONË NË SESIONIN E 45-të TË OKB-së

ANËTARË
1. Ramiz Alia – Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë,
Kryetar;
2. Reis Malile – Ministër i Punëve të Jashtme, Zëvendëskryetar;
3. Sofokli Lazri – Këshilltar i Posaçëm, Anëtar;
4. Muhamet Kapllani – Zëvendësministër i Punëve të Jashtme, Anëtar;
5. Bashkim Pitarka – Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë pranë OKB-së, Anëtar.
ANËTARË PLOTËSUES
6. Petrit Bushati – Ambasador;
7. Vahid Boriçi – Kryetar Dege në Presidiumin e Kuvendit Popullor;
8. Genc Mlloja – Këshilltar i Misionit të Përhershëm të Shqipërisë pranë OKB-së;
9. Eqerem Gaxholli – Sekretar i Parë i Misionit të Përhershëm të Shqipërisë pranë OKB-së;
10. Kadri Cenko – Funksionar në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

EKSPERTË
11. Arben Alia
12. Mikel Gjika
13. Viktor Kalemi
14. Zef Mazi
15. Roland Llupo
SHOQËRUES
1. Behar Zhurda
2. Sinan Hoxha

1. Arben Fino

GAZETARË
1. Alfons Gurashi
2. Gazmir Shtino

SHOFER
1. Vladimir Beci
Tiranë, më 7 shtator 1990


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.