“Fol me kryeministrin” është emëruar faqja online, të cilën shefi i mazhorancës e krijoi në valën e protestave kundër tij, e që deri më sot, ftesa e tij me letra dialogu mbi sofrën e betonit para godinës qeveritare është refuzuar.

“Faqja është gati. Kushdo të komunikojë, për të hyrë në një dialog në kushtet kur vijnë nga një sfond protestash, përshkallëzimesh, dhune, presioni, kërcënimi, përpjekjesh për ta penguar me çdo kusht dialogun. Kjo është ura që është ngritur për ju. Një urë funksionale. Një urë e hapur 24 orë”, thotë Rama.

Në këtë klimë të protestës, megjithatë kryeministri beson se herët a vonë do të shkrihen akujt dhe do të hapet rruga për dialog

“Besoj më herët se vonë do të shkrihen edhe akujt e vendosur artificialisht nga ata që mendojnë se mund t’i imponohen shoqërisë, bashkëjetesës demokratike, mund t’i imponohen të gjithë atyre që mendojnë ndryshe prej tyre. Ndërkohë ne shfrytëzojmë këtë mundësi të artë që na jep teknologjia”, vijoi Rama.

Komunikimi përmes platformës do të ndiqet nga një skuadër e dedikuar.

"Një hapësirë e re sociale për komunikim të drejtpërdrejtë me Kryeministrin. Sigurisht për studentët, por e hapur për këdo që dëshiron të bëjë një pyetje, të shprehë një kritikë, të ngrejë një shqetësim apo të paraqesë një propozim", thuhet në faqe. 

Kliko këtu për të shkuar te faqja e dialogut, "Fol me Kryeministrin"

Lajm në përditësim…