Goditet një grup kriminal që shpërndante lëndë narkotike afër shkollave, 4 të arrestuar në Fier
Policia e Fierit ka goditur një grup kriminal që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të shkollave. Në kuadër të operacionit “Clean School” u arrestuarn katër persona, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.
Sipas policisë u vunë në pranga shtetasit Kevin Bare, 28 vjeç, Dejvi Ferko, 25 vjeç, Marjus Zhaka, 48 vjeç dhe Taulant Çela, 52 vjeç.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e shtetasit E. B., 38 vjeç, banues në Fier, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e personave të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2.9 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 2 peshore elektronike dhe 4 aparate telefonike celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.




