Ish-deputeti dhe aktivisti pro-demokracisë në Macau, Au Kam San, është dënuar me 12 vite e gjashtë muaj burg në procesin e parë gjyqësor për sigurinë kombëtare në këtë territor. 69-vjeçari u shpall fajtor për përmbysje të pushtetit shtetëror dhe vepra të tjera penale, pas një gjyqi që u zhvillua me dyer të mbyllura. Bashkëshortja e tij, Virginia Cheang, e cilësoi vendimin si një përndjekje pa baza, të organizuar për të poshtëruar të shoqin.
Prokuroria e akuzoi Au për bashkëpunim me organizata të huaja, duke pretenduar se ai kishte mbledhur, përgatitur dhe shpërndarë informacione me përmbajtje politike kundër shtetit. Aktivisti u arrestua në korrik 2025 dhe u përball me shtatë akuza, nga të cilat u shpall fajtor për katër. Autoritetet nuk kanë bërë publike hollësi të tjera të çështjes, ndërsa gjykata vendosi që procesi të zhvillohej në fshehtësi, me argumentin se duhej mbrojtur siguria kombëtare.
Au Kam San ka qenë një nga zërat e paktë pro-demokracisë në Asamblenë Legjislative të Macaut, ku shërbeu për 20 vite, pas zgjedhjes në vitin 2001. Ish-mësuesi njihej gjithashtu për organizimin e përvitshëm të ceremonive përkujtimore në nder të viktimave të shtypjes së protestave në sheshin Tiananmen të Pekinit, në vitin 1989. Këto aktivitete, që dikur lejoheshin në Macau dhe Hong Kong, janë ndaluar praktikisht pas ashpërsimit të ligjeve të sigurisë kombëtare nga Kina.
Dënimi i tij vjen vetëm një ditë pasi Hong Kongu dënoi me 10 vite burg Joshua Wong, një tjetër figurë të njohur të lëvizjes pro-demokracisë.
Macau iu rikthye Kinës në vitin 1999, pas më shumë se 400 vitesh administrim portugez. Ligji për sigurinë kombëtare, i miratuar në vitin 2009 dhe i zgjeruar në vitet e mëvonshme, ka shtuar kufizimet ndaj veprimtarive që autoritetet i konsiderojnë kërcënim për pushtetin shtetëror.











