Donald Trump, i mundur dhe i dobësuar. A do të negociojë apo do të përdorë forcën?

Donald Trump

Për Donald Trumpin, goditja e 3 nëntorit ishte jashtëzakonisht e rëndë. Është e vërtetë se pothuajse të gjithë presidentët amerikanë kanë përjetuar humbje në zgjedhjet e mesmandatit (midterm elections) dhe, në një mënyrë apo tjetër, ia kanë dalë t’i kapërcejnë ato, pak a shumë me sukses.

Edhe vetë Trumpi i humbi zgjedhjet e mesmandatit në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë. Por atëherë situata ishte krejt tjetër. Para së gjithash, ato zgjedhje nuk ishin, si këto të tanishmet, një referendum për të personalisht.

Sot ai e mohon këtë, por ishte pikërisht Trumpi që deshi t’i kthente zgjedhjet në një referendum për veten. Fillimisht, duke shkaktuar përmes luftës ato vështirësi ekonomike që ua shuan vrullin kandidatëve republikanë dhe, më pas, duke u kërkuar amerikanëve të votonin sikur emri i tij të ishte i shkruar në fletën e votimit.

Pse humbja e kësaj radhe është më e rëndë se ajo e vitit 2018?

Tetë vjet më parë, rezultati ishte më pak i rëndë: republikanët humbën shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, por fituan dy vende të tjera në Senat. Ekonomia ishte e fortë dhe luftërat në Siri e Irak nuk i krijonin probleme Trumpit në Kongres, pasi ai i kishte trashëguar ato nga paraardhësi i tij demokrat, Barack Obama.

Këtë herë, përkundrazi, në çështjet që lidhen me Iranin, Izraelin dhe Ukrainën, Trumpi do të përballet me kundërshtimin e fortë të demokratëve.

Në atë kohë, ai ishte gjithashtu më i ri dhe më i kthjellët. Kishte përpara perspektivën e një karriere politike ende të gjatë, si dhe mundësinë e rizgjedhjes.

Për më tepër, nuk rrezikonte të vihej me shpatulla pas murit. Ai ishte nën hetim nga Robert Mueller për ndërhyrjet ruse në zgjedhje, por hetimi zhvillohej brenda strukturave të administratës së tij. Dhe, në fakt, nuk pati pasoja tronditëse.

Donald Trump dhe familja e tij përballë rrezikut të hetimeve

Këtë herë, Trumpi dhe fëmijët e tij janë shumë më të cenueshëm përballë kompetencave hetimore dhe mbikëqyrëse të një Dhome Përfaqësuesish me shumicë demokrate.

Kjo e fundit, me siguri, do të nisë hetime ndaj tij, familjes dhe rrethit të tij të ngushtë për pasurimin e jashtëzakonshëm të realizuar gjatë presidencës përmes kriptomonedhave, donacioneve dhe marrëveshjeve të biznesit me vende të huaja, veçanërisht me shtetet e Gjirit Persik.

Këto marrëveshje mbartin, të paktën, probleme të konfliktit të interesit, duke pasur parasysh kompetencat e gjera rregullatore dhe ndërhyrëse që zotëron Shtëpia e Bardhë.

Një marrëveshje me demokratët në këmbim të mbrojtjes së familjes?

Disa mendojnë se presidenti, i interesuar mbi të gjitha për bizneset e tij, mund të jetë i gatshëm t’u bëjë disa lëshime demokratëve në këmbim të një garancie që do ta mbronte atë dhe njerëzit e tij të afërt nga ndjekja ligjore. Por një sjellje e tillë nuk do të ishte karakteristike për Trumpin.

Ai i ka menaxhuar gjithmonë marrëdhëniet, si në biznes ashtu edhe në politikë, duke ngjallur frikë te të tjerët.

Pas një humbjeje kaq shkatërrimtare, Donald Trumpi është më pak i frikshëm se më parë. Megjithatë, pikërisht kjo gjendje dobësie dhe cenueshmërie mund ta shtyjë drejt veprimeve edhe më të ashpra, duke përdorur pa mëshirë kompetencat e gjera që ende i kanë mbetur.

Përdorimi i forcës dhe kompetencave presidenciale

Trumpi vazhdon të ketë nën kontroll aparatin ushtarak dhe policor, shërbimet sekrete dhe Departamentin e Drejtësisë. Ai ka gjithashtu hapësirë të gjerë veprimi në fushën e tregtisë, tarifave doganore, emigracionit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Për këtë arsye, mund të ndërmarrë edhe vendime të rrezikshme në politikën e jashtme.

Për shembull, mund të ushtrojë presion mbi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky që të pranojë një marrëveshje sipas kushteve të Vladimir Putinit. Në këtë mënyrë, Trumpi do të përpiqej të hiqte nga tryeza një çështje të rëndësishme përplasjeje politike, përpara se në janar të marrë detyrën Kongresi i ri, i drejtuar nga demokratët.

Një president në perëndim të karrierës politike

Sido që të sillet, me zemërim apo me frymë bashkëpunimi, Trumpi do të jetë një president gjithnjë e më i moshuar, me shëndet të rënduar dhe tashmë edhe i mundur politikisht.

Ai ndodhet në perëndim të karrierës së tij.

Nuk mendon më për një mandat të tretë presidencial, por duhet të përballet me një valë të vazhdueshme akuzash dhe të shqetësohet për mbrojtjen e trashëgimisë së tij politike.

Synimi i tij është që këtë trashëgimi ta lërë në duart e një pasardhësi të zgjedhur prej tij.

Por kjo nuk do të jetë e lehtë, duke pasur parasysh se edhe zëvendëspresidenti dhe pasardhësi i tij i preferuar, JD Vance, del i dobësuar nga një fushatë zgjedhore në të cilën u angazhua jo më pak se vetë Trumpi.

Monumentet e Trumpit në Uashington: trashëgimia që kërkon të lërë pas

Trumpi ka të ngjarë t’i rikthehet përkushtimit ndaj asaj që mund të quhet trashëgimia e tij arkitekturore.

Nga harku i triumfit te salla madhështore e ballove, ai dëshiron ta mbushë Uashingtonin me monumente që simbolizojnë trumpizmin. Këto janë projekte që dëshiron t’i ndjekë personalisht, kantier pas kantieri.

Sipas njerëzve më të afërt me të, kjo është e vetmja gjë që tashmë i jep kënaqësi. Megjithatë, demokratët mund t’ia prishin këtë kënaqësi duke bllokuar fondet për realizimin e këtyre projekteve.

A do të ketë shkarkime në administratën Trump?

Ndoshta Trumpi do të ndërmarrë edhe ndonjë spastrim në administratën e tij.

Një nga personat që mund të humbasë postin është sekretari i Luftës, Pete Hegseth, edhe pse dje Trumpi e mohoi një mundësi të tillë.

Presidenti e ka mbrojtur gjithmonë Hegsethin, por tashmë ai është kthyer në një figurë që i krijon vështirësi politike dhe që, me siguri, do të jetë një nga objektivat kryesore të demokratëve.

A do të sakrifikojë Donald Trump edhe Susie Wiles?

Për të negociuar me demokratët, Trumpi mund të ketë nevojë për një shef kabineti të Shtëpisë së Bardhë më të aftë në manovrimet dhe kompromiset politike sesa Susie Wiles. Ajo njihet për karakterin e saj jashtëzakonisht të ashpër dhe, pikërisht për këtë arsye, është e urryer nga shumë njerëz.

Megjithatë, Wiles është një nga bashkëpunëtoret më besnike të Trumpit. A do të jetë ai i gatshëm të heqë dorë edhe prej saj? / Corriere della Sera

Bota.al

Back to top button