E premte, 6 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lapaj zbulon dy ofertat e Ramës për zv.kryeministër: E refuzova të dyja!
Lajme

Lapaj zbulon dy ofertat e Ramës për zv.kryeministër: E refuzova të dyja!

Adriatik Lapaj ka bërë deklarata të forta politike, duke zbuluar se, sipas tij, kryeministri Edi Rama i ka propozuar në dy raste që të bëhej zëvendëskryeministër, oferta të cilat pretendon se i ka refuzuar.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, drejtuesi i lëvizjes “Shqipëria Bëhet” deklaroi se edhe nëse një propozim i tillë do t’i bëhej sërish, përgjigjja e tij do të ishte negative.

Lapaj tha se hyrja e tij në politikë nuk ka pasur si qëllim përfitimin e posteve apo ndërtimin e një karriere personale, por ndryshimin e mënyrës se si funksionon jeta publike. Ai argumentoi se politika duhet të vendosë në qendër qytetarët, duke përmendur fermerët që nuk përfitojnë subvencione, pacientët që përballen me mungesën e ilaçeve dhe të rinjtë që largohen nga Shqipëria.

Duke folur për refuzimin e pretenduar të ofertave të Ramës, Lapaj u ndal edhe te kritikat që, sipas tij, i bëhen për qëndrimet ndaj ish-aleatëve politikë.

“Ti duhet të më thuash: ‘Bravo, Adriatik, që nuk pranove të shkoje zv.kryeministër’. Refuzova dy herë kryeministrin. Edhe sot më vijnë dhe u them përherë JO”, deklaroi Lapaj.

Ai nuk kurseu as Avokatin e Popullit, Endri Shabanin, të cilin e akuzoi se ka kaluar në anën e pushtetit, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj ish-aleatit të tij.

Lapaj kërkon largimin e Ramës dhe Berishës nga politika

Në të njëjtën dalje televizive, Lapaj komentoi edhe ftesën e Sali Berishës për bashkimin e opozitës, duke sqaruar se bashkëpunimi që ai kërkon nuk nënkupton domosdoshmërisht një marrëveshje mes drejtuesve të partive politike.

Ai u shpreh se si Edi Rama, ashtu edhe Sali Berisha duhet të tërhiqen nga skena politike, pasi sipas tij, nuk kanë më çfarë t’i ofrojnë Shqipërisë.

Megjithatë, Lapaj bëri një dallim mes kreut të PD-së dhe elektoratit demokrat, duke theksuar se nuk mund të vendoset shenjë barazimi mes Berishës dhe qytetarëve që votojnë Partinë Demokratike.

“Propozimi i zotit Berisha, mendoj pa asnjë dyshim, se Rama dhe Berisha duhet të tërhiqen nga skena politike, nuk kanë çfarë t’i japin Shqipërisë sot. Por nuk vendos dot shenjë barazimi mes Berishës dhe demokratëve”, u shpreh ai.

Sipas Lapajt, sfida e opozitës nuk duhet të jetë thjesht bashkimi i disa liderëve politikë, por krijimi i një alternative ku qytetarët të kenë mundësi të përfaqësohen drejtpërdrejt.

Propozimi për zgjedhjet e 9 majit: Kandidatë nga sheshi, studentët dhe të rinjtë

Duke iu referuar zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027, Lapaj hodhi idenë e përfshirjes së kandidatëve që vijnë nga protestat qytetare, studentët dhe të rinjtë.

Ai u shpreh se qytetarëve duhet t’u jepet mundësia të zgjedhin përfaqësues jashtë strukturave tradicionale politike, duke e konsideruar këtë një alternativë që meriton të diskutohet.

Lapaj tha gjithashtu se gjatë takimeve me qytetarët, përfshirë edhe vizitën e tij në Korçë, ka konstatuar një pakënaqësi të madhe ndaj përplasjeve politike dhe egos së drejtuesve.

Sipas tij, qytetarët janë lodhur nga liderët që dominojnë skenën politike prej vitesh dhe presin një qasje tjetër, ku interesi publik të vendoset mbi ambiciet personale.

Në këtë kontekst, ai bëri të ditur se lëvizja e tij ka arritur në 90 mijë firma për referendumin, duke e paraqitur këtë si një tregues të mbështetjes që po merr nisma e tyre.

Deklaratat e Lapajt vijnë pas ftesës publike të Berishës drejtuar atij, Agron Shehajt dhe Arlind Qorit për bashkëpunim kundër qeverisë Rama. Por qëndrimi i tij tregon se ideja e bashkimit nuk përfshin domosdoshmërisht një front të drejtuar nga liderët aktualë, pasi Lapaj kërkon ndryshim edhe në krye të dy forcave kryesore politike të vendit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.