Situata te Napoli po bëhet gjithnjë e më delikate, por Massimiliano Allegri nuk rrezikon shkarkimin në mënyrë të menjëhershme. Pavarësisht rezultateve negative, me shtatë humbje në 14 ndeshje, 14 pikë larg kreut të kampionatit dhe jashtë zonës së playoff-it në Champions League, drejtuesit e klubit vijojnë të kenë besim te trajneri italian.
Megjithatë, sfida e ardhshme kundër skuadrës së drejtuar nga Gattuso mund të jetë një pikë kthese për të ardhmen e Allegrit. Një tjetër humbje, që do të ishte e teta në 15 takime, mund të ndryshonte ndjeshëm situatën. Vendimi përfundimtar do të mbetet në duart e presidentit Aurelio De Laurentiis.
Ndërkohë, tensionet e shpërthyera pas humbjes në Porto kanë shtuar shqetësimet në kampin napolitan. Polemikat, konfliktet dhe rezultatet zhgënjyese kanë krijuar një atmosferë të rënduar, që kërkon ndërhyrje dhe sqarime mes drejtuesve, stafit teknik dhe lojtarëve.
Në Portugali munguan figurat kryesore të klubit, përfshirë De Laurentiis, zëvendëspresidentin Edoardo De Laurentiis dhe administratorin Andrea Chiavelli. Të pranishëm ishin drejtori sportiv Manna dhe zëvendësi i tij Sinicropi, të cilët dëgjuan edhe pakënaqësinë e Allegrit pas ndeshjes.
Një tjetër çështje që pritet të marrë vëmendje është merkatoja e janarit. Allegri kishte kërkuar që gjatë verës përforcime dhe energji të reja fizike e mendore, pasi e konsideronte grupin të konsumuar. Tashmë, rezultatet duket se po i japin të drejtë trajnerit, ndërsa Napoli përgatitet për vendime të rëndësishme.
