Miliarda dollarë të hedhur në erë: Kur pushteti i parasë mposhtet nga forca e idealeve

Elon Musk shpenzoi i vetëm 474 milionë dollarë për të mbështetur republikanët. Por nuk arriti të kuptonte se në politikë pushteti i parasë nuk sjell gjithçka dhe etika është rikthyer sërish si një vlerë vendimtare.

pushteti i parasë

474 milionë dollarët e Elon Musk nuk arritën të blinin fitoren

Me 474 milionë dollarët që Elon Musk hodhi në erë për të mbështetur kandidatët republikanë të mundur në zgjedhjet e mesmandatit, mund të bliheshin 77 milionë hamburgerë Big Mac, më shumë se një për çdo banor të Italisë, 13 mijë automjete Tesla Model 3 ose të paguhej paga e një senatori amerikan për 2.724 vjet.

Këtë përllogaritje e bën Charlie Walzer, gazetar i revistës The Atlantic.

Bilanci i shpenzimeve të pronarit të SpaceX është marramendës: 216 milionë dollarë të derdhur në fondin America PAC, 168 milionë në Senate Leadership Fund dhe 30 milionë për republikanët që kandidonin për Dhomën e Përfaqësuesve. Dhe në këtë llogari mungojnë ende transfertat përfundimtare, që e afrojnë shumën totale në gjysmë miliardi dollarë.

Megjithatë, për Musk këto janë thjesht para xhepi: vetëm një e njëzeta e një për qind e pasurisë së tij. Është sikur një person që fiton 50 mijë dollarë në vit t’i japë partisë së tij një bakshish prej 25 dollarësh.

Pushteti i parasë? Po pse dollarët nuk arritën të bindnin votuesit?

Mediat ia atribuojnë disfatën e Trumpit luftës me Iranin, inflacionit dhe neverisë së qytetarëve ndaj korrupsionit.

Por, përballë vërshimit të kotë të miliona dollarëve të Musk, një shpjegim origjinal vjen nga Jani, një 25-vjeçar me ngjyrë që punon si kamerier në Caucus Club, një vendtakim i njohur i politikanëve në Detroit.

Pikërisht aty, mes biftekëve dhe koktejeve Martini, në vitin 1961 debutoi në moshën 18-vjeçare Barbra Streisand, duke kënduar përpara magnatëve të industrisë automobilistike Henry Ford II dhe Lee Iacocca, si dhe kryebashkiakëve Young dhe Cavanagh.

Jani rrëfen: “Telefoni im nuk pushonte së rëni nga njoftimet me postime në mbështetje të kandidatit republikan Rogers dhe meme që paraqisnin demokratin El-Sayed me kefijen e terroristëve. Ishte një bombardim mesazhesh propagandistike, i paguar nga Musk. Kështu vendosa të merrja pushim paraditen dhe shkova të votoja. Gjyshi im më vinte të dëgjoja këngën e Beatles, Can’t Buy Me Love – dashuria nuk blihet me para. Por, siç duket, as Kongresi nuk mund të blihet…”.

Brezi i ri politik kundër pushtetit të miliarderëve

Edhe politikanët e sapozgjedhur janë të të njëjtit mendim. Nga Austini i Teksasit, seminaristi James Talarico predikon: “Nuk do të lejojmë që miliarderët të na nënshtrojnë”.

Ndërsa nga Kansasi, pastori Hamilton paralajmëron: “Ne i kemi përmbysur tavolinat e tregtarëve në Tempull”. Është një referencë e drejtpërdrejtë biblike, ku mesazhi i Ungjillit vihet përballë hipokrizisë së farisenjve.

Me një çiltërsi të pazakontë, Talarico i shndërron paratë e Musk në një objektiv politik. Tridhjetë monedhat e argjendta të tradhtisë biblike janë bërë tashmë gjysmë miliardi dollarë. Por parlamentarët nuk janë njerëz që mund të blihen për të ofruar shërbimet e tyre.

Sipas autorit, ndikimi i miliarderëve arrogantë, të lidhur me Afrikën e Jugut, si Elon Musk, Peter Thiel dhe David Sacks, synonte të krijonte një lloj aparteidi kulturor. Demokracia trajtohej si një mall me ulje çmimi në Amazon: mjaftonte një klikim dhe Uashingtoni përfundonte në shportën e blerjeve.

Jeff Bezos nuhat ndryshimin e erës politike

Ndryshe nga Musk, Jeff Bezos, më dinak në leximin e zhvillimeve politike, duket se është ndër të parët që ka kuptuar se era po ndryshon. Pasi ishte përulur përpara Trumpit si në një skenë të serialit Game of Thrones, pronari i Amazonit ka filluar të lirojë disi kontrollin mbi gazetën prestigjioze Washington Post. Që prej së martës, gazeta është bërë më pak e përulur ndaj Shtëpisë së Bardhë.

Nga ekonomia te morali: Ndryshimi i madh i politikës amerikane

Në vitin 1992, James Carville, strategu i famshëm politik i Bill Clintonit, përsëriste vazhdimisht sloganin: “It’s the economy, stupid!” – “Është ekonomia, budalla!”.

Mesazhi ishte i qartë: votuesit mendojnë mbi të gjitha për paratë dhe mirëqenien ekonomike.

Por në vitin 2026, kritiku Gal Beckerman i përgjigjet me një formulë të re: “It’s the morality, stupid!” – “Është morali, budalla!”. Morali po rikthehet në qendër të politikës amerikane.

Kjo ndodh pas një periudhe të shënuar nga kriptomonedhat e familjes Trump, shndërrimi i Uashingtonit në një lloj resorti pushimesh, komentet e presidentit për të pasmet e një kandidati, përçmimi i tij për barkun e një gazetari, postimet blasfemuese për Papën dhe Jezusin, si dhe një kulturë urrejtjeje e mbështjellë me shije të keqe dhe ekzagjerime vulgare.

Skandali Ramaswamy dhe neveria morale që përfshiu edhe republikanët

Nga Ohio, Vivek Ramaswamy, një figurë trumpiste e njohur për gafat e tij, publikoi një spot elektoral ku nëna e rivales demokrate Amy Acton akuzonte të bijën se gënjente. Por Ramaswamy kishte fshehur një fakt tronditës.

Gruaja nuk kishte pasur kontakte me të bijën prej dekadash, pas akuzave penale që lidheshin me abuzimet seksuale që kishte lejuar partneri i saj të kryente ndaj Amy Acton, kur kjo e fundit ishte vetëm 12 vjeçe.

Ky episod shkaktoi një valë neverie morale që tronditi edhe vetë Partinë Republikane.

Nikki Haley, ish-ambasadore amerikane, e cilësoi Ramaswamyn si “njeri të lig”. Ish-guvernatori Chris Christie shpërtheu kundër asaj që e quajti “radiografia e imoralitetit”, duke kritikuar edhe zëvendëspresidentin JD Vance, të cilin e përshkroi si “një katolik që mbron këtë akt të neveritshëm”.

John Cornyn, konservatori teksan i poshtëruar nga Trumpi, kujtoi: “Karakteri dhe etika kanë rëndësi”. Ndërkohë, familjarë të ish-presidentit George W. Bush votuan për Talaricon.

Edhe ish-deputetja Marjorie Taylor Greene bëri një rrëfim domethënës: “Unë isha një mbështetëse fanatike e MAGA-s. Por ata e kanë humbur ndjeshmërinë ndaj njerëzve të zakonshëm”. Sipas saj, republikanët janë dehur nga pushteti i parasë.

Feja, solidariteti dhe rikthimi i ndjeshmërisë njerëzore

Pas vitesh talljesh me personat me aftësi të kufizuara, gratë, të moshuarit dhe të sëmurët, atmosfera politike duket se po ndryshon.

Në festën e fitores së James Talaricos këndohen këngë me mesazhe si: “Duaje të afërmin tënd”. “Çdo vëlla është i shenjtë”.

Ndërsa pastori Hamilton shpjegon për Christian Post se historia biblike e Samaritanit të Mirë nuk duhet parë thjesht si një shëmbëlltyrë fetare. Ajo duhet të kthehet në një program konkret politik: kujdes shëndetësor, ndihmë për pagesën e faturave dhe kupona ushqimorë për shtresat më të varfra.

“Paratë jashtë politikës!” Mesazhi i fitores në Detroit

Natën e 3 nëntorit, në Detroit, senatori i sapozgjedhur Abdul El-Sayed thërriste nga podiumi: “Paratë duhet të dalin nga…?!”. Dhe turma e mbështetësve i përgjigjej e entuziazmuar: “Nga politika!”.

“Dhe paratë duhet të shkojnë ku…?!”, vazhdonte ai.

“Te qytetarët!”, përgjigjej turma.

Më pas, doktori El-Sayed, myslimani i parë i zgjedhur në Senatin amerikan, e përmbyllte fjalimin me një mesazh: “Të besosh tek barazia, të drejtat, paqja, dinjiteti dhe vetëvendosja nuk është urrejtje. Është dashuri”.

Pas retorikës së testosteronit që Pete Hegseth u imponoi ushtarakëve, idealet e Butësisë dhe të Mëshirës të predikuara nga Jezusi në Predikimin në Mal po bëhen virale në TikTok.

Përçarja e MAGA-s dhe largimi nga Trumpi

Shpërbërja e unitetit të lëvizjes MAGA ka filluar tashmë. Zëvendëspresidenti JD Vance denoncon luftën në Iran. Senatori Ted Cruz rishfaqet me një ton të butë dhe pajtues. Por nga qendra e analizës së të dhënave të demokratëve, një veteran i fushatës presidenciale të John Kerryt i ofron autorit një krahasim interesant mes politikës dhe marketingut.

“Shiko rënien e tërheqjes së sektorit të luksit, i cili ka humbur 50 miliardë dollarë. Firmat e famshme, etiketat dhe markat e shtrenjta nuk e joshin më brezin Z, që është i apasionuar pas modës vintage, prirjeve të qëndrueshme dhe autenticitetit. E njëjta ndjenjë mbizotëroi edhe në zgjedhjet e mesmandatit. Teprimet nuk funksionojnë më. Kush e di se të çfarë marke janë rrobat që veshin Talarico dhe Hamilton?”.

Trumpi nuk e kuptoi ndryshimin e shoqërisë amerikane

Mes apartamentit luksoz në Fifth Avenue, kompleksit Mar-a-Lago dhe fushave të golfit, Donald Trumpi nuk arriti të kuptonte ndryshimin e humorit të qytetarëve dhe konsumatorëve amerikanë.

Tani ai po e përtyp i vetëm këtë realitet të ri.

Ndërkohë, të martën, Elon Musk u bëri thirrje me entuziazëm ndjekësve të tij të votonin “Red”, pra republikanët. Por më pas e fshiu postimin e nxituar, njësoj si një adoleshent që përpiqet të fshijë një mesazh të dërguar gabimisht te e dashura.

Shumë vonë, Elon!

Ata e panë mesazhin dhe votuan kundër teje.

Një gabim që kushtoi sa 77 milionë hamburgerë Big Mac.

Mësimi i Ronald Reaganit: Politika duhet t’u drejtohet vlerave më të mira të njerëzve

Në fjalimin e tij të fundit, presidenti Ronald Reagan kishte thënë: “Unë u jam drejtuar gjithmonë ndjenjave më të mira të votuesve, jo instinkteve të tyre më të këqija”. Një mesazh historik që sot tingëllon si një kambanë paralajmëruese për Partinë Republikane, atë që njihet si Grand Old Party, partia e Abraham Lincolnit.

Sepse, pas një epoke kur dukej se miliarderët mund të blinin gjithçka, votuesit amerikanë kanë dhënë një mesazh tjetër: paratë mund të financojnë fushata, por nuk mund të blejnë ndërgjegjen, dinjitetin dhe besimin e njerëzve. / La Repubblica

Bota.al

Back to top button