Një incident gjatë shkarkimit të mallrave në një zonë industriale të Spanjës ka çuar në zbulimin e një sasie gjigante kokaine, me vlerë që përllogaritet në mbi 100 milionë euro. Më shumë se 10 tonë lëndë narkotike janë gjetur në dy kapanone në qytetin Águilas, ndërsa autoritetet spanjolle dyshojnë se pas trafikut qëndron një organizatë kriminale shqiptare.
Operacioni nisi në rrethana të pazakonta, kur një paletë u rrëzua gjatë shkarkimit të një ngarkese në zonën industriale El Labradorcico. Nga përplasja, disa prej pakove u dëmtuan dhe përmbajtja e tyre u shpërnda në dyshemenë e magazinës, duke zbuluar se brenda tyre kishte kokainë.
Personat që po kryenin shkarkimin u larguan menjëherë nga ambientet, duke lënë pas edhe pajisjet e punës. Fillimisht, në vendngjarje u dërgua një patrullë e Policisë Bashkiake, pas një njoftimi për një aksident të mundshëm në punë. Megjithatë, kur efektivët mbërritën, nuk gjetën asnjë person në kapanon.
Kontrollet e mëvonshme zbuluan përmasat e vërteta të ngarkesës. Vetëm në magazinën e parë u gjetën mbi pesë tonë kokainë, ndërsa hetimet i drejtuan autoritetet drejt një objekti të dytë industrial, ku u zbulua një tjetër sasi e konsiderueshme droge. Në total, sasia e sekuestruar i kaloi 10 tonët.
Sipas gazetës spanjolle La Verdad, dy kapanonet dyshohet se shërbenin si pika magazinimi dhe organizimi për transportimin e kokainës drejt tregjeve të ndryshme evropiane.
Një element që ka tërhequr veçanërisht vëmendjen e hetuesve janë shënimet e gjetura mbi paketimet e drogës. Në to ishin vendosur adresa që dyshohet se tregonin destinacionet përfundimtare të ngarkesave.
Autoritetet besojnë se këto të dhëna mund të ndihmojnë në identifikimin e hallkave të rrjetit të shpërndarjes, nga personat përgjegjës për transportin deri te pritësit e drogës në vende të ndryshme.
Hetimet po zhvillohen nga strukturat spanjolle të specializuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotrafikut, të cilat po përpiqen të zbulojnë mënyrën e funksionimit të organizatës dhe personat që kontrollonin magazinat.
Në qendër të verifikimeve është një grup i dyshuar kriminal shqiptar, i cili, sipas raportimeve të mediave vendase, mund të ketë pasur rol në organizimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Zbulimi i kësaj ngarkese konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj trafikut të drogës në Spanjë, ndërsa adresat e gjetura në paketime mund të shërbejnë si pikënisje për zgjerimin e hetimeve edhe jashtë territorit spanjoll.
