Bluetooth do të jetë dukshëm më i shpejtë, miratohet standardi i ri

Organizata Bluetooth SIG, e cila zhvillon standardin Bluetooth, ka miratuar një teknologji të re të quajtur High Data Throughput (HDT), e cila do të rrisë ndjeshëm shpejtësinë e transferimit të të dhënave në pajisjet Bluetooth LE.
Me standardin e ri, shpejtësia maksimale e transferimit do të rritet nga 2 në 7.5 megabitë në sekondë, duke e bërë atë pothuajse katër herë më të shpejtë se më parë.
HDT është një mundësi opsionale e përfshirë në specifikimin e ri Bluetooth Core 7.0. Kjo do të thotë se prodhuesit nuk janë të detyruar ta integrojnë atë në pajisjet e tyre.
Përmirësimi i parë i madh pritet të jetë në pajisjet audio. Sipas Bluetooth SIG, gjatë vitit 2027 pritet të prezantohet standardizimi i audios pa tela me cilësi të lartë, i bazuar në HDT.
Ky standard do të mundësojë transmetimin e audios pa humbje të cilësisë (lossless), audios me rezolucion të lartë, tingullit rrethues me shumë kanale dhe audios hapësinore.
Pajisjet e para me teknologjinë HDT pritet të dalin në fillim të vitit 2027. Ato mund të prezantohen që në panairin CES, i cili mbahet në janar.
Teknologjia e re përdor një mënyrë të avancuar të transmetimit të sinjalit, duke mundësuar bartjen e më shumë të dhënave në të njëjtën kohë. Ajo mbështet shpejtësi prej 2, 3, 4, 6 dhe 7.5 megabitësh në sekondë. Në rastet kur sinjali është më i dobët, pajisjet mund ta ulin automatikisht shpejtësinë për të shmangur ndërprerjen e lidhjes.
Një tjetër përparësi është se shpejtësia më e madhe nuk pritet të ndikojë në jetëgjatësinë e baterisë. Përkundrazi, meqë të dhënat transferohen më shpejt, pajisjet kalojnë më shumë kohë në gjendje me konsum të ulët të energjisë.
Në demonstrimet e para, transferimi i një skedari prej disa megabajtësh zgjati rreth katër sekonda, krahasuar me rreth 16 sekonda sa nevojiten me teknologjinë aktuale.
HDT sjell gjithashtu mbrojtje më të avancuar të të dhënave, duke rritur gjatësinë e kodeve për verifikimin e integritetit të mesazheve nga 32 në 64 dhe 128 bitë.
Përveç kufjeve dhe altoparlantëve, standardi i ri pritet të jetë i dobishëm edhe për pajisjet e realitetit të zgjeruar, pajisjet me inteligjencë artificiale, sistemet industriale, orët inteligjente, byzylykët e fitnesit dhe pajisjet e shtëpive inteligjente.
Për shembull, një orë inteligjente do të mund të transferojë në telefon të dhënat e një stërvitjeje disaorëshe brenda pak sekondash, ndërsa syzet inteligjente do të mund të dërgojnë të dhëna për përpunim, duke mundësuar funksione më të avancuara të inteligjencës artificiale.
Për të përfituar nga shpejtësia maksimale, të dyja pajisjet duhet të mbështesin standardin HDT. Nëse vetëm njëra prej tyre e ka këtë teknologji, lidhja do të vazhdojë të funksionojë me kapacitetet ekzistuese të Bluetooth LE.
Bluetooth SIG ka më shumë se 43 mijë kompani anëtare, të cilat prodhojnë çdo vit mbi pesë miliardë pajisje me teknologjinë Bluetooth. /Telegrafi/









































