Presidenti i Paraguait, Santiago Peña, njoftoi dorëheqjen, pas një krize të rëndë financiare dhe politike të shkaktuar nga kolapsi i bankës private Ueno, që kishte lidhje të mëparshme biznesi me kreun e shtetit.
Vendimi erdhi pas disa ditësh protestash masive në kryeqytetin Asunción, ku mijëra qytetarë kërkuan largimin e presidentit dhe kthimin e kursimeve të tyre.
Kriza shpërtheu pasi Banka Qendrore ndërhyri në Ueno Bank për shkak të problemeve të rënda të aftësisë paguese, duke bllokuar aksesin në llogaritë e rreth 3 milionë klientëve.
Megjithatë, dorëheqja e Peña-s nuk e mbylli krizën politike. Dhoma e Deputetëve votoi për nisjen e procedurave të shkarkimit, ndërsa refuzoi dorëheqjen, që presidenti të mos përfitonte nga imuniteti që do t’i siguronte pozita e senatorit të përjetshëm pas largimit nga detyra. Tashmë, çështja i kalon Senatit.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Peña deklaroi se kishte marrë vendimin për t’u larguar nga posti duke vënë në plan të parë stabilitetin e vendit.
Kam marrë vendimin të paraqes dorëheqjen time nga posti i Presidentit të Republikës. E bëj këtë duke menduar për stabilitetin e vendit tonë, paqen sociale dhe nevojën për të ruajtur institucionet tona demokratike.
Presidenti kërkoi falje ndaj qytetarëve, duke thënë se nuk kishte pasur kurrë qëllim të tradhtonte besimin e tyre. Më tej theksoi se përparësia e tij ishte garantimi i kthimit të parave për qytetarët që kishin depozituar kursimet në sistemin bankar.
Në qendër të skandalit është Ueno Bank, një institucion financiar dixhital që brenda pak vitesh u shndërrua në një prej bankave më të mëdha të vendit, duke pretenduar se kishte si klientë më shumë se 60% të popullsisë së rritur të Paraguait.
Banka u vu nën administrimin e Bankës Qendrore pasi kontrollet zbuluan probleme serioze në kreditimin e kompanive të lidhura me pronarët e saj, përfshirë kredi të dokumentuara në mënyrë të parregullt dhe shpenzime të regjistruara gabimisht si aktive. Pas korrigjimit të bilanceve, kapitali i bankës rezultoi më pak se gjysma e minimumit ligjor të kërkuar.
Skandali mori përmasa edhe më të mëdha për shkak të lidhjeve të mëparshme të Peña-s me grupin që zotëronte bankën. Kreu i shtetit kishte qenë aksioner në kompaninë mëmë të Ueno-s deri në mars të vitit 2025, ndërsa gjatë qeverisjes së tij institucioni kishte marrë në administrim rreth 800-850 milionë dollarë fonde publike, përfshirë para nga fondet e pensioneve dhe institucione të tjera shtetërore.