Një proces vlerësimi do të përcaktojë hapat e ardhshëm të bashkëpunimit mes Uashingtonit dhe Tiranës. Në një mesazh drejtuar shqiptarëve, ambasadori i ri amerikan Eric Wendt prezantoi tri prioritetet e tij, forcimin e mbrojtjes, zgjerimin e tregtisë dhe investimeve si dhe luftën kundër krimit transnacional.
“Gjatë muajve të ardhshëm, nën drejtimin tim si ambasador, Ambasada e Shteteve të Bashkuara do të kryejë një vlerësim që do të na ndihmojë të përcaktojmë rrugën tonë përpara. Në kuadër të këtij vlerësimi, pres me kënaqësi të udhëtoj në vende të ndryshme të Shqipërisë”, thotë Ëendt.
Për këtë proces, diplomati amerikan thotë se do të takohet me drejtues politikë të zgjedhur, zyrtarë të qeverisë, drejtues ushtarakë, përfaqësues të biznesit e drejtësisë, si edhe me qytetarë shqiptarë dhe amerikanë.
Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse është shtylla e parë e punës së ambasadorit të ri.
“E para është të bëhemi më të fortë. Bëhemi më të fortë kur ndërtojmë kapacitete reale mbrojtëse dhe përmbushim pjesën e përgjegjësive që na takon si aleatë”, thotë ambasadori.
Tregtia dhe investimet përbëjnë prioritetin e dytë. Shtylla e tretë e punës së diplomatit amerikan është lufta kundër krimit transnacional.
“E dyta është të bëhemi më të begatë. Do të gjejmë mënyra për të zgjeruar tregtinë, investimet dhe mundësitë, me përfitime të ndërsjella për amerikanët dhe shqiptarët. E treta është të bëhemi më të sigurt. Do të punojmë së bashku kundër krimit transnacional dhe për të mbrojtur interesat tona të përbashkëta”, theksoi ambasadori.
Wendt falënderoi Presidentin Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio për besimin. Ai kujtoi edhe shërbimin e mëparshëm ushtarak përkrah Forcave Speciale shqiptare dhe udhëtimet në Shqipëri, duke i cilësuar shqiptarët mikpritës, punëtorë dhe krenarë.
“Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një histori të përbashkët të fuqishme, miqësi dhe respekt të thellë të ndërsjellë. Së bashku, mund të arrijmë rezultate konkrete”, tha Wend duke e mbyllur mesazhin në gjuhën shqipe me shprehjen “Shkojmë së bashku”.
Mesazhi i plotë i ambasadorit amerikan Eric Wendt
Mirë se ju gjej! Jam Eric Wendt, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë.
Teksa nis detyrën si ambasador i SHBA-së në Shqipëri, dëshiroj të falënderoj Presidentin Trump dhe Sekretarin Rubio për besimin e tyre. Gjithashtu, dua të falënderoj popullin shqiptar për përzemërsinë me të cilën i ka pritur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë shërbimit tim të mëparshëm ushtarak përkrah Forcave Speciale shqiptare, si edhe gjatë udhëtimeve të mia të mëparshme nëpër Shqipëri, ku kam takuar qytetarë të thjeshtë shqiptarë, e kam përjetuar personalisht se shqiptarët janë njerëz jashtëzakonisht mikpritës, punëtorë dhe krenarë.
Gjatë muajve të ardhshëm, nën drejtimin tim si ambasador, Ambasada e Shteteve të Bashkuara do të kryejë një vlerësim që do të na ndihmojë të përcaktojmë rrugën tonë përpara. Në kuadër të këtij vlerësimi, pres me kënaqësi të udhëtoj në vende të ndryshme të Shqipërisë.
Siç është praktikë e zakonshme diplomatike, do të zhvilloj takime të shumta me drejtuesit e ndryshëm politikë që ju keni zgjedhur, si edhe me zyrtarë të qeverisë suaj, drejtues ushtarakë, përfaqësues të biznesit, drejtësisë dhe fushave të tjera. Gjithashtu, pres me kënaqësi të takohem me qytetarë të thjeshtë amerikanë dhe shqiptarë.
Së bashku, do të diskutojmë si për mënyrat e deritanishme, ashtu edhe për mënyra të reja e krijuese, që të bashkëpunojmë me efektivitet në të ardhmen, duke u përqendruar në tri fusha kyçe me përfitim të ndërsjellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërinë.
E para është të bëhemi më të fortë. Bëhemi më të fortë kur ndërtojmë kapacitete reale mbrojtëse dhe përmbushim pjesën e përgjegjësive që na takon si aleatë.
E dyta është të bëhemi më të begatë. Do të gjejmë mënyra për të zgjeruar tregtinë, investimet dhe mundësitë, me përfitime të ndërsjella për amerikanët dhe shqiptarët.
E treta është të bëhemi më të sigurt. Do të punojmë së bashku kundër krimit ndërkombëtar dhe për të mbrojtur interesat tona të përbashkëta.
Ndërsa kryejmë këtë proces vlerësimi gjatë muajve të ardhshëm dhe përcaktojmë rrugën përpara drejt një ardhmërie më të fortë, begatë dhe më të sigurt, pres gjithashtu me kënaqësi të mësoj më shumë për popullin shqiptar, për historinë tuaj krenare dhe të përjetoj edhe një herë mikpritjen tuaj legjendare.
Ndihem vërtet i nderuar dhe i bekuar që kam mundësinë të shërbej në Shqipëri si ambasador i Shteteve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një histori të përbashkët të fuqishme, miqësi dhe respekt të thellë të ndërsjellë. Së bashku, mund të arrijmë rezultate konkrete.
Ecim së bashku! Shkojmë së bashku.










Komente
Komento