Të ndalen ndërhyrjet politike dhe sulmet ndaj magjistratëve, të garantohet siguria e tyre dhe reforma e pagave të hartohet në konsultim me gjyqësorin. Këto janë kërkesat e tri shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat u bëjnë thirrje institucioneve të zbatojnë pa vonesë rekomandimet e Komisionit Europian.
“Ne, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, u kërkojmë institucioneve përgjegjëse që rekomandimet e raportit të zbatohen pa vonesë: të ndalen ndërhyrjet dhe sulmet ndaj magjistratëve, reforma e pagave të hartohet në konsultim të vërtetë me gjyqësorin, të merren masa konkrete për sigurinë e gjykatave dhe prokurorive, dhe sistemi i drejtësisë të pajiset me burimet njerëzore e teknike që i nevojiten”, thuhet në një deklaratë të Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe asaj të Prokurorëve.
Deklarata e tyre vjen pas publikimit të progres raportit të Komisonit Europian, i cili evidentoi përpjekjet e politikanëve dhe zyrtarëve për të ndikuar në sistemin e drejtësisë si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve.
“Gjatë periudhës së raportimit vijuan përpjekjet e zyrtarëve publikë apo politikanëve për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor, përfshirë SPAK-un, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve”, thuhej në raport.
Për pagat, Komisioni e cilëson të paprecedentë situatën e krijuar në gusht, kur konflikti mes qeverisë dhe magjistratëve për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese solli bllokimin e pagave. Raporti vlerëson se kjo cenoi rëndë funksionimin e gjyqësorit dhe ngriti shqetësime për pavarësinë e tij.
“Reforma e pagave të hartohet në konsultim të vërtetë me gjyqësorin, të merren masa konkrete për sigurinë e gjykatave dhe prokurorive, dhe sistemi i drejtësisë të pajiset me burimet njerëzore e teknike që i nevojiten”, thuhej në raport.
Magjistratët thonë se “një drejtësi e pavarur kërkon magjistratë të sigurt, të respektuar dhe të lirë nga presionet”.
Deklarata e plotë e magjistratëve
Raporti 2026 i Komisionit Europian, i publikuar më 4 nëntor 2026, vlerëson se Shqipëria ka bërë progres të mirë në funksionimin e gjyqësorit dhe se përfundimi i vettingut ka forcuar më tej pavarësinë, llogaridhënien dhe integritetin. Ky progres është arritur falë punës së përditshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve, shpesh në kushte të vështira. Por raporti tregon qartë edhe atë që mbetet pa zgjidhje.
Komisioni evidenton se kanë vijuar përpjekjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë në nivelet më të larta, për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi institucionet e drejtësisë, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve. Konflikti për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi pagat solli bllokimin e buxheteve të gjyqësorit dhe mospagimin e pagave të gushtit, një situatë që raporti e cilëson të paprecedentë. Raporti thekson se reforma e pagave duhet të respektojë standardet e CEPEJ-it, parimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të përfshijë konsultime kuptimplota me gjyqësorin.
Raporti konstaton mungesë progresi në garantimin e standardeve të sigurisë për gjyqtarët dhe prokurorët. Tetë magjistratë janë vendosur në mbrojtje: gjashtë prokurorë dhe dy gjyqtarë. Sipas raportit, vrasja e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Astrit Kalaja, në tetor 2025, nuk u pasua nga një reagim i mjaftueshëm i gjykatave, autoriteteve shtetërore dhe këshillave për garantimin e sigurisë së gjyqësorit në të gjitha nivelet.
Gjykatat dhe prokuroritë në nivel rrethi vijojnë të punojnë nën kufizime të rënda, me ngarkesë të lartë dhe personel të kufizuar. Për prokuroritë e rretheve, raporti shënon edhe kapacitete të pamjaftueshme për hetimet financiare dhe çështjet komplekse, dhe rekomandon që forcimi i tyre të jetë përparësi. Mungesa e magjistratëve dhe e personelit mbështetës, si dhe vonesat në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve, vazhdojnë të ndikojnë në cilësinë dhe eficiencën e drejtësisë.
Ne, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, u kërkojmë institucioneve përgjegjëse që rekomandimet e raportit të zbatohen pa vonesë: të ndalen ndërhyrjet dhe sulmet ndaj magjistratëve, reforma e pagave të hartohet në konsultim të vërtetë me gjyqësorin, të merren masa konkrete për sigurinë e gjykatave dhe prokurorive, dhe sistemi i drejtësisë të pajiset me burimet njerëzore e teknike që i nevojiten.
Një drejtësi e pavarur kërkon magjistratë të sigurt, të respektuar dhe të lirë nga presionet. Kjo është përgjegjësi e të gjitha institucioneve.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë









Komente
Komento