Protestat/ PD çon në Kushtetuese paketën antidhunë dhe thërret në Komision kreun e Policisë, Skënder Hitaj
Partia demokratike ka goditur në Gjykatën Kushtetuese 3 akte që qeveria miratoi në lidhje me protestat në Shqipëri, duke kërkuar pezullimin e tyre dhe shpalljen e tyre antikushtetuese. Kryetari i Grupit Parlamentar demokrat Gazment Bardhi, theksoi se e drejta për të protestuar është e drejtë themelore dhe nuk mund të kufizohet nga qeveria.
“Siguria nuk mund të përdoret si justifikim për arbitraritetin. Dhe pushteti nuk mund të vendosë vetë se cilat të drejta mund të ushtrojnë qytetarët dhe cilat duhet t’u hiqen”, tha Bardhi.
Bardhi deklaroi se akti normativ që i jep të drejtë policisë të ndalojë tubimet në zona të caktuara për 72 orë bie ndesh me kushtetutën.
“Akti i jep Policisë edhe kompetencën për të urdhëruar largimin e një personi nga një zonë e caktuar deri në 48 orë. Në Shqipëri, masat që kufizojnë lirinë personale nuk mund të vendosen sipas vullnetit të një organi administrativ. Kushtetuta dhe ligji kanë përcaktuar kompetencat e gjykatës dhe garancitë që duhet të respektohen përpara se të merret një masë që prek lirinë e individit”, tha Bardhi.
Bardhi tha se dhe akti tjetër që parashikon se qytetari apo organizata që thërret protestën do të paguajë për dëmet e shkaktuara gjatë kësaj proteste shkel kushtetuten
“Ne kemi dëgjuar nga Kryeministri se përgjegjësia në një shtet të së drejtës është individuale. Ajo duhet të provohet. Duhet të mbështetet në veprime konkrete dhe në një lidhje të përcaktuar ligjërisht midis personit dhe dëmit të shkaktuar. Mirëpo ky parim nuk mund të vlejë vetëm për korrupsionin qeveritar, nuk mund të jetë i zbatueshëm vetëm për Edi Ramën, sa herë në rrjetën e drejtësisë dhe përgjegjësisë bie një bashkëpunëtor i tij. Ky parim mbi të gjitha është i zbatueshëm për qytetarin e zakonshëm”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PD.
Një ditë më parë ndërhyrjet ligjore që qeveria miratoi në lidhje me protestat u cuan në gjykatën kushtetuese edhe nga një grup studentësh dhe organizatash të shoqërisë civile.




