‘Dakar 2026’, Shqipëria me një atlet në Lojërat Rinore, Juxhin Çili shpjegon përzgjedhjen e Jorgi Kapedanit

‘Dakar 2026’, Shqipëria me një atlet në Lojërat Rinore, Juxhin Çili shpjegon përzgjedhjen e Jorgi Kapedanit

10:18, 06/11/2026

Juxhin Çili, trajner i atletikës dhe pjesë e delegacionit shqiptar në Lojërat Olimpike Rinore Dakar 2026, ka dhënë detaje mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë aktivitet, duke shpjeguar edhe mënyrën se si është përzgjedhur atleti që do të përfaqësojë vendin tonë.

Në një lidhje me emisionin “Kafe Shqeto”, Çili bëri të ditur se Shqipëria do të përfaqësohet nga vetëm një sportist, Jorgi Kapedani, pjesëmarrja e të cilit është mundësuar përmes një ftese nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

“Shqipëria përfaqësohet në këto Lojëra Olimpike Rinore nga vetëm një atlet, në sportin e atletikës. Kjo lidhet edhe me faktin se këtë edicion aktiviteti zhvillohet në një vend të largët, siç është Senegali, ndërsa numri i sportistëve është i kufizuar. Çdo shtet merr pjesë në disiplina të caktuara, në bazë të ftesave të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Pas përzgjedhjes së bërë nga Federata Shqiptare e Atletikës, përfaqësuesi ynë do të jetë Jorgi Kapedani. Duhet theksuar se edhe disiplina në të cilën do të garojë është përcaktuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe jo nga Federata Shqiptare e Atletikës apo Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar”, shpjegoi Çili.

Trajneri u ndal edhe te profili i sportistit të ri nga Korça, për të cilin shprehu besimin se mund të bëhet një emër i rëndësishëm për të ardhmen e atletikës shqiptare.

“Jorgi është një djalë i ri nga Korça. Në vitet e fundit, Shkodra ka spikatur në atletikën e meshkujve, ndërsa Korça në atë të femrave. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Korça nuk ka djem të talentuar, kampionë kombëtarë, të cilët mund të përfaqësojnë denjësisht vendin edhe në aktivitetet ndërkombëtare. Jorgi është një emër premtues dhe shpresojmë që të jetë një përfaqësues i denjë i atletikës shqiptare në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Në fund, Çili sqaroi edhe vështirësitë që hasin atletët shqiptarë për të siguruar pjesëmarrjen në aktivitetet e mëdha ndërkombëtare. Sipas tij, kualifikimi zakonisht arrihet përmes normave të përcaktuara, por plotësimi i tyre mbetet një sfidë e madhe.

“Pjesëmarrja në Lojërat Olimpike zakonisht sigurohet përmes normave kualifikuese, por arritja e tyre është shumë e vështirë. Në edicionet e fundit, vetëm Luiza Gega ka arritur t'i plotësojë këto norma, ndërsa atletët e tjerë kanë marrë pjesë përmes ftesave”, përfundoi Çili.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco