Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka bërë të ditur se opozita ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e tre akteve të miratuara nga qeveria, të cilat, sipas PD-së, cenojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi tha se bëhet fjalë për Aktin Normativ nr. 5/2026, Aktin Normativ nr. 6/2026 dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 815/2026, të datës 28 tetor 2026. Përveç shfuqizimit të tyre, opozita ka kërkuar edhe pezullimin e zbatimit deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes nga Gjykata Kushtetuese.
Bardhi deklaroi se nisma nuk synon të mbrojë personat që shkelin ligjin, por të garantojë respektimin e Kushtetutës dhe të drejtave themelore të qytetarëve. Sipas tij, tre aktet krijojnë një mekanizëm që mund të kufizojë tubimet, të ndëshkojë organizatorët dhe të cenojë liritë individuale.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së renditi disa prej problematikave që, sipas opozitës, përmbajnë aktet. Për Aktin Normativ nr. 5/2026, ai kundërshtoi kompetencat që i jepen Policisë së Shtetit për të kufizuar tubimet në zona të caktuara deri në 72 orë, për të urdhëruar largimin e personave nga një zonë deri në 48 orë dhe për të kërkuar fshirjen e përmbajtjeve në rrjetet sociale që konsiderohen nxitëse të dhunës.
Sipas Bardhit, këto kompetenca rrezikojnë të cenojnë lirinë e tubimit, lirinë e shprehjes dhe garancitë procedurale të qytetarëve, duke i dhënë Policisë kompetenca që, sipas tij, duhet t’i nënshtrohen kontrollit gjyqësor.
Sa i përket Aktit Normativ nr. 6/2026, ai kundërshtoi parashikimin për përgjegjësi solidare për dëmet e shkaktuara gjatë tubimeve, duke argumentuar se organizatorët dhe organizatat nuk mund të mbajnë automatikisht përgjegjësi për veprimet e çdo pjesëmarrësi. Ai u shpreh se përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe të provohet përmes veprimeve konkrete.
Ndërsa për Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 815/2026, Bardhi ngriti shqetësime për krijimin e një regjistri të posaçëm për personat e lidhur me procedime ose hetime penale për vepra të kryera gjatë tubimeve. Sipas tij, ky mekanizëm mund të cenojë mbrojtjen e të dhënave personale dhe lirinë e lëvizjes, pasi parashikon shkëmbimin e informacionit me autoritetet e vendeve të destinacionit dhe operatorët privatë të akomodimit.
Përveç kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, Bardhi bëri të ditur se opozita ka kërkuar thirrjen në një seancë llogaridhënie në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj. Sipas tij, Hitaj duhet të japë shpjegime për ndalimin dhe gjobitjen e qytetarëve që protestojnë paqësisht, si dhe për përdorimin e forcës nga policia gjatë protestave të javëve të fundit.
Në përfundim, Bardhi u bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që ta shqyrtojë çështjen me urgjencë, ndërsa kërkoi edhe reagimin e komunitetit ndërkombëtar dhe të partnerëve të Shqipërisë lidhur me atë që PD-ja e konsideron cenim të lirive dhe të drejtave themelore.