Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin Enea Karakaçi dhe drejtorin e ARRSH-së, Ami Kozeli, zhvilluan sot një vizitë në kantierin e bypass-it të Tiranës, ku inspektuan nga afër ecurinë e punimeve. Sipas autoriteteve, projekti po vijon me ritme të kënaqshme.
Gjatë inspektimit, Rama theksoi rëndësinë që do të ketë ndërtimi i këtij aksi në përmirësimin e qarkullimit rrugor dhe reduktimin e trafikut në kryeqytet. Ai u ndal gjithashtu te ndikimi që infrastruktura e re pritet të ketë në zonat përreth, duke sjellë edhe rritje të vlerës së pronave.
Sa i përket procesit të shpronësimeve, kreu i qeverisë garantoi se ato do të kryhen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në mënyrë transparente.
“Pa diskutim që çdo shpronësim do të bëhet sipas ligjit, me transparencë. Ky aks do ta çlirojë kryeqytetin nga një ngarkesë e tepërt. Një pjesë e fluksit do të vazhdojë lirshëm drejt jugut ose juglindjes dhe pjesa tjetër do të ketë lirshmëri për të hyrë e për të dalë”, u shpreh Rama.

