E premte, 6 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ardit Gjebrea në SPAK për “Veliajn”, mori rreth 330 mijë euro për “Këngën Magjike”
Lajme

Ardit Gjebrea në SPAK për “Veliajn”, mori rreth 330 mijë euro për “Këngën Magjike”

Producenti dhe moderatori Ardit Gjebrea është thirrur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku pritet të japë shpjegime për financimet që ka përfituar nga Bashkia e Tiranës për organizimin e festivalit “Kënga Magjike”, gjatë kohës kur institucioni drejtohej nga Erion Veliaj.

Në fokus të interesit të hetuesve janë pagesat e kryera nga Bashkia në favor të shoqatës “Jon Music”, përmes së cilës është financuar aktiviteti muzikor i drejtuar nga Gjebrea. Sipas të dhënave të publikuara në Open Spending Data, bëhet fjalë për gjashtë transferta financiare, vlera e të cilave, sipas raportimeve, arrin në rreth 330 mijë euro.

Dokumentet e Thesarit evidentojnë disa pagesa të kryera në periudhën 2019–2022, me përfitues shoqatën “Jon Music”.

Transferta më e madhe rezulton ajo e datës 19 dhjetor 2022, kur Bashkia e Tiranës i kaloi shoqatës shumën prej 8 milionë lekësh për organizimin e festivalit “Kënga Magjike 2022”.

Ndërkohë, më 3 dhjetor 2021, shoqata përfitoi 705,880 lekë, ndërsa më 11 tetor të po atij viti u regjistrua një tjetër pagesë prej 6,289,998 lekësh.

Edhe gjatë vitit 2020 janë evidentuar dy transferta të tjera: më 3 shkurt, në vlerën 2.7 milionë lekë, dhe më 31 janar, në shumën 4.3 milionë lekë.

Lista e pagesave të identifikuara përfshin gjithashtu një transfertë prej 7,975,000 lekësh, të kryer më 29 janar 2019, në favor të “Jon Music”.

Këto financime janë tashmë në vëmendjen e SPAK-ut, i cili po shqyrton një çështje të veçantë që lidhet me përdorimin e fondeve të Bashkisë së Tiranës dhe marrëdhëniet financiare gjatë administrimit të Erion Veliajt.

Dosja Veliaj zgjerohet përtej çështjes kryesore

Erion Veliaj po përballet me procesin gjyqësor në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku akuzohet për 13 vepra penale. Paralelisht, SPAK po zhvillon hetime të tjera që lidhen me financimin e projekteve të Bashkisë, shpenzimet për udhëtimet e kryebashkiakut dhe marrëdhëniet e kompanisë “Gogel”, në pronësi të vëllait të tij, me institucionin e drejtuar prej tij.

Në këtë kuadër, financimet e dhëna për festivalin “Kënga Magjike” dhe pagesat e kryera ndaj shoqatës “Jon Music” janë pjesë e interesit të organit të akuzës.

Thirrja e Ardit Gjebreas në SPAK e vendos në vëmendje edhe një tjetër marrëdhënie financiare të krijuar mes Bashkisë së Tiranës dhe subjekteve që kanë përfituar fonde publike gjatë drejtimit të Veliajt. Megjithatë, fakti që një person thirret për të dhënë shpjegime në SPAK nuk nënkupton automatikisht se ai është i pandehur apo se ka kryer një vepër penale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.