Një autobus me 43 udhëtarë ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë të premten në mëngjes në lindje të Francës, pranë komunës Lent, në departamentin Ain, afër kufirit me Zvicrën. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën të paktën dy persona, ndërsa 16 të tjerë janë lënduar, njoftuan prefektura e Ain dhe zyra e prokurorit të Bourg-en-Bresse.
Aksidenti ndodhi rreth orës 07:00, derisa autobusi po udhëtonte nga Lyoni drejt Bourg-en-Bresse, dhe në mesin e udhëtarëve ishin edhe 15 fëmijë ose të mitur, sipas të dhënave të prokurorisë dhe të prefekturës. Një burim pranë hetimit ka thënë se automjeti doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal, ndërsa prokuroria e Bourg-en-Bresse ka konfirmuar se ndër viktimat janë një i mitur dhe një i rritur i ri.
Kryeministri francez, Sebastien, bëri të ditur lajmin për vdekjen e dy fëmijëve, pa dhënë më shumë detaje, ndërsa mediat vendase raportuan fillimisht për dy fëmijë të vdekur. Ministri francez i Arsimit, Edouard Geffray, konfirmoi se në mesin e udhëtarëve kishte nxënës dhe shprehu keqardhje për aksidentin.
Ministri i Transportit, Philippe Tabarot, njoftoi në platformën amerikane të mediave sociale X se po shkonte në vendngjarje. Sipas zyrës së prokurorit të Bourg-en-Bresse, tre persona janë dërguar në kujdesin e urgjencës me lëndime kërcënuese për jetën, ndërsa 13 të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta.
Të lënduarit rëndë janë transportuar drejt një spitali të specializuar. Shoferi i autobusit, i cili gjithashtu është lënduar, është dërguar në spital dhe ende nuk është marrë në pyetje nga policia. Në vendin e ngjarjes janë angazhuar ekipet e emergjencës, helikopterët mjekësorë dhe më shumë se 100 zjarrfikës. Ndërkohë, ndërtesa e komunës së qytetit është hapur për të ofruar strehim dhe për të koordinuar operacionet e ekipeve të emergjencës.
