Arabia Saudite neutralizon dronin në rajonin e Mekës, një ditë pas raportimit për raketën pranë Medinës
Forcat e Arabisë Saudite kanë neutralizuar dhe shkatërruar një dron në rajonin e Mekës, qytetit të shenjtë të Islamit. Lajmi u bë i ditur nga Turki al-Maliki, zëdhënës ushtarak i koalicionit të drejtuar nga Riadi, i cili mbështet qeverinë e Jemenit në luftën kundër rebelëve Houthi, të mbështetur nga Irani. Deri më tani nuk është bërë e ditur origjina e dronit.
Incidenti vjen në një periudhë tensionesh të shtuara, pasi Arabia Saudite është përballur vazhdimisht me sulme që nga rifillimi i luftimeve në muajin korrik. Rebelët Houthi kanë marrë përgjegjësinë për disa sulme ndaj aeroporteve, infrastrukturës energjetike dhe instalimeve ushtarake saudite, por kanë mohuar se kanë shënjestruar qytetet e shenjta të Islamit.
Një ditë më parë, koalicioni saudit njoftoi gjithashtu interceptimin e një rakete të lëshuar nga Houthit në rajonin e Medinës, një tjetër qytet i shenjtë për myslimanët. Organizata rebele reagoi duke i cilësuar këto pretendime si shpifje.
Ndërkohë, në Jemen, rebelët Houthi kanë ndërmarrë që prej shtatorit një ofensivë në pjesën perëndimore të vendit, duke zgjeruar kontrollin mbi zona pranë Ngushticës strategjike të Bab al-Mandeb. Kjo rrugë detare ka rëndësi të madhe për tregtinë ndërkombëtare, pasi lidh Evropën me Azinë përmes Kanalit të Suezit.
Forcat qeveritare jemenase po përpiqen të rimarrin territoret e humbura, me mbështetjen e aviacionit ushtarak saudit. Zhvillimet e fundit kanë shtuar shqetësimet për përshkallëzimin e konfliktit dhe sigurinë në një prej korridoreve më të rëndësishme detare të rajonit.




