Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën e re online “Fol me Kryeministrin”, përmes së cilës ai thotë se qytetarët mund të komunikojnë drejtpërdrejt me të dhe të dërgojnë mesazhet, opinionet apo shqetësimet e tyre. Nisma vjen në një kohë kur studentët vijojnë protestat, duke kërkuar dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe duke refuzuar dialogun me të.
Sipas kryeministrit, platforma do të jetë e aksesueshme 24 orë në ditë dhe do të ketë një skuadër të dedikuar për të garantuar qarkullimin e informacionit dhe të opinioneve.
“Cilido që është i dëshiruar për të komunikuar, për të hyrë në një dialog, në kushtet kur vijmë nga një fond protestash, për shkallëzime, dhunë, presioni, kërcënimi, përpjekje për ta penguar me çdo kusht dialogun, kjo është ura që është ngritur për ju. Një urë funksionale, një urë e hapur 24 orë”, deklaroi Rama.
Prezantimi i kësaj nisme vjen në sfondin e protestave të studentëve, të cilët kanë bërë të qartë se kërkesa e tyre kryesore mbetet largimi i Edi Ramës nga posti i kryeministrit, duke e cilësuar dorëheqjen e tij si të panegociueshme.












