Çfarë po ndodh në prapaskenë? Rama nis lëvizjet për zëvëndësimin e Vlora Hysenit
Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) vijon të jetë pa një drejtues të dekretuar prej rreth dy muajsh, pas largimit të Vlora Hysenit nga kreu i institucionit. Ndërkohë, kanë nisur procedurat për emërimin e pasuesit të saj, por emri i kandidatit që pritet të marrë drejtimin e shërbimit sekret shqiptar ende nuk është bërë publik.
Deri në përfundimin e procesit të emërimit, institucioni po drejtohet në mënyrë të komanduar nga Elvis Lila. Ky i fundit ka përfaqësuar SHISH-in edhe gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm në Kuvend.
Gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, për shkak të natyrës së ndjeshme të informacionit që lidhet me veprimtarinë e institucionit, u kërkua që mbledhja të vijonte me dyer të mbyllura.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e opozitës rikthyen në diskutim situatën e krijuar pas pezullimit të Vlora Hysenit, duke ngritur pikëpyetje mbi dyshimet që lidhen me emrin e saj në dosjen hetimore të Ergys Agasit.
Hetimet ndaj Vlora Hysenit dhe lidhja me dosjen Agasi
Çështja e ish-drejtoreshës së SHISH-it vijon të jetë nën verifikim në dy drejtime: nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe përmes auditimit të brendshëm të institucionit.
Deputeti socialist Blendi Çuçi ka konfirmuar se procesi i verifikimeve nuk ka përfunduar ende. Ndërkohë, Gjykata e Posaçme vendosi të mërkurën të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Hysenin.
Ajo dyshohet për veprat penale “Zbulimi i akteve ose i të dhënave sekrete” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Hetimi lidhet me dosjen ku në qendër ndodhet Ergys Agasi, i dyshuar për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sipas hetimit të SPAK, dyshimet ndaj Hysenit çuan në vendosjen e masave të sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “arrest në shtëpi”. Ajo u largua nga drejtimi i institucionit në shtator, duke lënë pas një situatë të pazakontë në krye të një prej strukturave më të rëndësishme të sigurisë kombëtare.
Nga emërimi në vitin 2023 te kriza në krye të SHISH-it
Vlora Hyseni mori drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit në prill të vitit 2023, pas emërimit nga kryeministri Edi Rama. Zgjedhja e saj u shoqërua me debate politike, veçanërisht për shkak të shtetësisë kosovare dhe largimit të mëparshëm nga pozicioni i numrit dy të shërbimit inteligjent të Kosovës.
SHISH është institucioni qendror përgjegjës për mbledhjen dhe analizimin e informacionit mbi kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare, çka e bën drejtimin e tij një çështje me rëndësi të veçantë për shtetin.
Ndërkohë, dosja ku përmendet Hyseni lidhet me hetimet e SPAK për aktivitetin e dyshuar kriminal rreth tenderave të AKSHI-t. Sipas të dhënave të hetimit, vetëm në 19 procedurat e marra në shqyrtim është evidentuar një fond limit prej 5.9 miliardë lekësh, ose rreth 59 milionë euro.
Një tjetër emër i përfshirë në këtë çështje është Ermal Beqiraj, ortak i Ergys Agasit, i cili u arrestua në Francë më 24 korrik. Ai u ndalua pasi avioni i lehtë me të cilin po udhëtonte kishte hyrë në një hapësirë ajrore të kufizuar mbi centralin bërthamor të Penly-t. Pas shoqërimit nga forcat ajrore franceze, avioni u ul në aerodromin e Albertit, në rajonin e Somme-s.
Hetimet e autoriteteve franceze identifikuan pasuri të Beqirajt në Francë, për të cilat dyshohet se kanë origjinë kriminale. Sipas SPAK, ai dyshohet se ka transferuar në këtë shtet një pjesë të përfitimeve të paligjshme, me të cilat janë blerë një kështjellë, dy apartamente dhe mjete motorike, ndërsa mbi 2 milionë euro dyshohet se janë depozituar në llogari bankare.
Në këtë klimë hetimesh dhe pikëpyetjesh mbi çështjen e AKSHI-t, SHISH vijon të mbetet nën drejtimin e komanduar të Elvis Lilës. Tashmë pritet që procedurat e nisura për pasuesin e Vlora Hysenit të konkretizohen me një emër të ri në krye të institucionit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



