Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka dërguar një mesazh të qartë për Vinicius Junior, duke theksuar se braziliani nuk e ka të garantuar një vend në formacion, pavarësisht emrit dhe rëndësisë së tij për skuadrën.
Në prag të sfidës ndaj Valencias, që do të luhet të shtunën në mbrëmje në “Mestalla”, tekniku portugez u ndal te situata e sulmuesit brazilian. Vinicius nuk do të jetë ende i disponueshëm për kampionatin, pasi duhet të shlyejë edhe një ndeshje pezullimi, ndërsa mund të aktivizohet në Champions League.
Në konferencën për shtyp, Mourinho bëri të qartë se prioriteti i tij mbetet gjithmonë grupi dhe jo interesat individuale të futbollistëve.
“Për mua, gjëja më e rëndësishme është skuadra. Nuk kam dashur kurrë të dëmtoj ekipin për të përfituar një lojtar. Kur Vinicius të rikthehet dhe të jetë sërish i disponueshëm, do të bëj vlerësimin tim për mënyrën se si do ta menaxhoj”, u shpreh Mourinho.
Portugezi theksoi se vendimet e tij nuk varen vetëm nga një ndeshje, por edhe nga kalendari dhe gjendja fizike e futbollistëve. Ai kujtoi se takimi i fundit në Champions League ishte një mundësi e përshtatshme për të aktivizuar Vinicius dhe për t’u dhënë pushim disa lojtarëve, por nënvizoi se objektivi është që të gjithë të jenë në formën optimale.
Mourinho nuk i kurseu as fjalët e vlerësimit për potencialin e brazilianit, duke kujtuar se Vinicius i sezonit të kaluar i kishte shkaktuar eliminimin nga Champions League.
“Pavarësisht miqësisë, kur vjen momenti për të marrë vendime, skuadra duhet të jetë mbi çdo lojtar”, përfundoi trajneri i Real Madridit.
