Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar një video të realizuar me inteligjencë artificiale, përmes së cilës ka reaguar ndaj situatës së tij ligjore dhe zhvillimeve në Bashkinë e Tiranës.
Në postimin e tij, Veliaj rendit atë që i cilëson si përndjekje politike, duke përmendur arrestimin, tentativat për shkarkimin e tij dhe qëndrimin prej 20 muajsh në paraburgim. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, ai thekson se vijon të jetë i përqendruar te prioritetet e tij për qytetin.
Veliaj njofton se ka miratuar projektet për ndërtimin e 15 çerdheve dhe kopshteve të reja në zona të ndryshme të Tiranës. Sipas tij, me këto projekte, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara ose të projektuara gjatë administrimit të tij arrin në 130.
Postimi i plotë
Pasi më rrëmbyen nga zyra e Kryetarit të Bashkisë me letra anonime, pasi tentuan të më shkarkonin nga detyra në mënyrë antikushtetuese, pasi e bënë çorbë menaxhimin e Tiranës, pasi më persekutojnë dhe më mbajnë në paraburgim politik prej 20 muajsh, në një ping-pong gjykatash, pasi më rrëmbyen për të më ndërruar birucën pa një shkresë te vetme dhe pasi më kërcënuan edhe aty, përsëri sot miratova projektet për 15 çerdhe dhe kopshte të reja për fëmijët e Tiranës! Me këto projekte, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara apo të projektuara gjatë administrimit tim arrin në 130! Jo në Durrës e Fier, por edhe në Hënë po të duan të më internojnë, unë do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia!
Këto janë kopshtet e çerdhet që kam miratuar sot:
Nj. 9, Kopsht, Don Bosko, 150 fëmijë
Nj. 12, Kopsht, Fresku, 150 fëmijë
Nj. 13, Çerdhe, Kodra e Diellit, 50 fëmijë
Nj. 9, Çerdhe, Don Bosko, 100 fëmijë
Nj. 13, Çerdhe, Liqeni i Thatë, 50 fëmijë
Nj. 9, Çerdhe, Stracioni i Trenit, 100 fëmijë
Petrelë, Kopsht, Daias, 16 fëmijë
Dajt, Kopsht, Tufinë, 33 fëmijë
Nj. 12, Kopsht, Sh. 17 Shkurti, 122 fëmijë
Nj. 1, Kopsht, Tregu Elektrik, 120 fëmijë
Nj. 7, Çerdhe, Fusha Aviacionit, 100 fëmijë
Nj. 7, Çerdhe, Dogana, 100 fëmijë
Nj. 7, Kopsht, Zogu i Zi, 150 fëmijë
Nj. 14, Çerdhe, Yzberisht, 100 fëmijë
Nj. 14, Çerdhe, Astir, 100 fëmijë
