150 vjetori i lindjes së Faik Konicës, ekspozohen letërkëmbimet me figura të rëndësishme të historisë
Biblioteka personale e Faik Konicës dhe letërkëmbimet e tij me figura të rëndësishme të historisë shqiptare janë sjellë për herë të parë në qytetin e Korçës. Në kuadër të 150-vjetorit të lindjes së Faik Konicës, Biblioteka Publike “Thimi Mitko”, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, organizoi aktivitetin “Faik Konica, Trashëgimia e një biblioteke”.
Pjesë e ekspozitës janë libra nga biblioteka personale e Konicës, por edhe dokumente e fotografi origjinale që hedhin dritë mbi jetën dhe personalitetin e një prej intelektualëve më të rëndësishëm shqiptarë.
“Kjo pjesë e bibliotekës vetjake të Faik Konicës na tregon shumë për këtë figurë komplekse. Këta nuk janë libra të shkruar nga Faik Konica, por libra që i përkasin bibliotekës së tij personale dhe që na tregojnë se cilët kanë qenë shkrimtarët, shkrimet dhe botimet që kanë formësuar karakterin, idetë dhe personalitetin e tij. Sot kjo bibliotekë vjen për herë të parë në Bibliotekën Publike “Thimi Mitko” të Korçës.”, tha Majlinda Toçi, drejtore e Bibliotekës Kombëtare.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e ekspozitës janë tetë letra origjinale të Faik Konicës, të cilat datojnë nga vitet 1921 deri në vitin 1929.Dokumentet sjellin edhe detaje më pak të njohura mbi jetën e Konicës, marrëdhëniet e tij me figura të kohës, si dhe aktivitetin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kam sjellë për ekspozitën tetë letra origjinale të Faik Konicës, që datojnë rreth viteve 1921–1929. Dy prej tyre janë korrespondenca me Rauf Ficon, ndërsa pjesa tjetër me Pandeli Caleçon. Në këto letërkëmbime shfaqet një Faik Konicë më pak i njohur, ku dalin detaje interesante nga jeta e tij, përfshirë edhe fotografitë që ai kishte realizuar në studiot e mëdha fotografike të Amerikës, si dhe marrëdhëniet e tij me personazhe të rëndësishëm të kohës”, tha Niko Kotherja, historian.
Dy fotografi origjinale të Konicës, të realizuara në Shtetet e Bashkuara, plotësojnë ekspozitën, e cila synon të sjellë një tjetër këndvështrim mbi figurën e tij përmes librave që lexonte, njerëzve me të cilët korrespondonte dhe dokumenteve që ka lënë pas.




