Bashkimi Europian ka vendosur kontrolle më të rrepta në kufi për një përbërës të importuar nga Kina, që përdoret në prodhimin e qumështit për foshnja, pas zbulimit të një toksine të rrezikshme për shëndetin. Bëhet fjalë për cereulidin, një toksinë që mund të shkaktojë të përziera dhe diarre, e identifikuar fillimisht në dhjetor në disa seri qumështi pluhur që përmbanin vaj të acidit arakidonik. Në Francë, autoritetet kanë nisur hetimet për vdekjen e tre foshnjave, të cilat dyshohet se mund të lidhen me konsumimin e produkteve të tërhequra nga tregu. Komisioni Europian ka përcaktuar se çdo ngarkesë e këtij përbërësi që hyn në territorin e Bashkimit Europian nga Kina duhet të shoqërohet me certifikatë zyrtare që vërteton se është testuar dhe nuk përmban toksinën. Për dy muajt e ardhshëm, gjysma e ngarkesave që mbërrijnë nga Kina do t'u nënshtrohen edhe kontrolleve fizike në kufi. Skandali ka detyruar kompani të mëdha si Nestlé, Danone dhe Lactalis të tërheqin produkte të qumështit për foshnja në më shumë se 60 vende të botës. Sipas Komisionit Europian, hetimet kanë identifikuar vajin e acidit arakidonik me origjinë nga Kina si burimin e kontaminimit. Kompania kineze Cabio Biotech, me seli në Wuhan, është vënë nën vëmendje si furnizuese e përbërësit të dyshuar. Ngjarja rikthen kujtimet e skandalit të vitit 2008 në Kinë, kur qumështi pluhur i kontaminuar me melaminë preku mbi 300 mijë foshnja dhe shkaktoi të paktën gjashtë viktima.