Në prag të takimeve trepalëshe me Ukrainën dhe Rusinë, të parashikuara për më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dabi, SHBA-ja ka paraqitur një nismë të re për sigurinë në Europë dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Propozimi i administratës Trump përfshin mbajtjen e konsultimeve të vazhdueshme mbi sigurinë, sigurimin e komunikimit gjatë krizave, transparencën në fushën ushtarake dhe marrjen e masave që pengojnë përshkallëzimin e konflikteve.
Të lidhura
None found
I dërguari amerikan Jared Kushner shpjegon se në themel të kësaj nisme qëndron respektimi i sovranitetit dhe i integritetit territorial të shteteve. Sipas tij, asnjë shtet nuk do të ketë të drejtë të përcaktojë aleancat e një shteti tjetër, ndërsa roli qendror në mbrojtjen kolektive të Europës do t’i mbetet NATO-s.
Ekspertët, nga ana tjetër, shqetësohen se Rusia mund të ushtrojë ndikim mbi të ardhmen e sigurisë europiane dhe rolin e NATO-s. Sipas vlerësimit të tyre, Moska nuk ka shfaqur vullnet për kompromis dhe pengesat më të mëdha vazhdojnë të jenë territoret e pushtuara, si edhe garancitë për sigurinë e Ukrainës pas përfundimit të luftës.
Për shkak të hendekut të thellë mes qëndrimeve të palëve, ekspertët nuk parashikojnë arritjen e një marrëveshjeje të madhe në Abu Dabi. Pritshmëritë për këto bisedime kufizohen te hapa gradualë përpara.
Financimi i rindërtimit të Ukrainës përbën një tjetër vështirësi: për dhjetë vitet e ardhshme, nevojat e vendit përllogariten në rreth 588 miliardë dollarë.
Përpjekjet diplomatike të SHBA-së dhe Europës për të krijuar kushtet për paqe po vijojnë. Megjithatë, ende nuk dihet nëse Rusia do të pranojë ndalimin e luftimeve dhe garantimin e sigurisë së Ukrainës.






