Sadete Fiku dhe djali i saj, Gazmir Fiku, të dy të akuzuar për vrasjen e 61-vjeçarit Urim Fiku, kanë dalë para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Godvi të Bulqizës. Në përfundim të seancës, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për të dy.
Gjatë deklarimeve të tyre, nënë e bir kanë mohuar përfshirjen në krim, duke këmbëngulur në versionin se 61-vjeçari është sulmuar nga një ari në pyll. Sipas pretendimeve të tyre, Urim Fiku është kthyer në banesë i plagosur dhe i gjakosur, ndërsa më pas ka marrë një armë zjarri dhe ka qëlluar veten në gjoks.
Ata kanë deklaruar gjithashtu se pas ngjarjes ka qenë Sadete Fiku, bashkëshortja e viktimës, ajo që ka njoftuar ambulancën. Nga ana tjetër, Gazmir Fiku ka pretenduar se në momentin e ngjarjes nuk ndodhej në banesë, pasi ishte në punë pranë OSHE-së në Bulqizë.
Një tjetër element i përmendur në dëshmitë e tyre lidhet me faktin se Urim Fiku, sipas familjarëve, vendoste leqe në pyll për kapjen e kafshëve të egra, kryesisht derrave të egër. Pritet që përgjigjet e ekspertizës mjekoligjore dhe aktet e policisë shkencore të ndihmojnë në përcaktimin e dinamikës së ngjarjes dhe në verifikimin e versioneve të dhëna nga të dy të akuzuarit.
