Frikë në qiejt e Europës, të tjera alarme për bombë, verifikohet burimi i kërcënimeve Një kontroll i befasishëm në një spital në Brazil ka përfunduar në një përplasje të fortë mes kryebashkiakut dhe dy mjekëve, pasi ky i fundit i gjeti në një dhomë pushimi gjatë orarit të shërbimit, ndërkohë që pacientët prisnin në urgjencë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 4 nëntorit, në qytetin Barreiros, në shtetin Pernambuco të Brazilit. Kryebashkiaku Carlinhos da Pedreira vendosi të inspektojë pa paralajmërim spitalin bashkiak “Jailton Messias de Albuquerque”, pas ankesave të shumta të qytetarëve për vonesat në marrjen e shërbimit mjekësor.
Gjatë kontrollit, ai konstatoi se disa pacientë prisnin në urgjencë dhe më pas u drejtua drejt ambienteve ku qëndronin mjekët e turnit të natës. Aty gjeti një dhomë pushimi të mbyllur me çelës, ku ndodheshin dy mjekë, një burrë dhe një grua.
I revoltuar nga situata, kryebashkiaku i akuzoi ata se po kryenin marrëdhënie intime gjatë orarit të punës, ndërsa pacientët prisnin të merrnin ndihmë mjekësore.
“Urgjenca është plot, ndërsa ju bëni seks”, dëgjohet të thotë ai në pamjet që janë shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale.
Sipas kryebashkiakut, atë mbrëmje në spital ishin planifikuar të shërbenin tre mjekë, por në momentin e kontrollit vetëm njëri prej tyre po vizitonte pacientët. Ai kërkoi largimin e dy mjekëve dhe njoftimin e policisë.
Pas incidentit dhe reagimeve të shumta, Bashkia e Barreiros njoftoi ndërprerjen e kontratës me organizatën “Associação Beneficente João Paulo II”, e cila administronte spitalin. Deri në zhvillimin e një tenderi të ri, administrimi i institucionit shëndetësor do të kalojë drejtpërdrejt në varësi të bashkisë.
Ngjarja ka shkaktuar edhe reagimin e Këshillit Rajonal të Mjekësisë në Pernambuco, i cili dënoi ekspozimin publik të profesionistëve shëndetësorë.
Ndërkohë, Sindikata e Mjekëve pretendon se dy profesionistët ndodheshin në pushim pas 12 orësh pune intensive dhe se një mjek tjetër vijonte të ofronte shërbim për pacientët.
Sipas sindikatës, pushimi gjatë turnit nuk përbën braktisje të detyrës, për sa kohë që garantohet vazhdimësia e shërbimit mjekësor.
Edhe Këshilli Rajonal i Mjekësisë theksoi se çdo shkelje e mundshme duhet të hetohet përmes procedurave institucionale dhe ligjore, duke respektuar dinjitetin dhe të drejtën e mbrojtjes së profesionistëve.
Top Channel