Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë u çel ekspozita “Kosova e Kadaresë”, në nderim të 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare. Ekspozita sjell në vëmendje lidhjen e veçantë të Kadaresë me Kosovën përmes letrave të rralla drejtuar liderëve botërorë, dorëshkrimeve, botimeve dhe objekteve nga fondi personal i shkrimtarit. Gjatë ceremonisë së hapjes, ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj, vlerësoi kontributin e Kadaresë në përcjelljen e çështjes së Kosovës përtej kufijve, duke theksuar rëndësinë e veprës së tij për identitetin dhe kujtesën kombëtare.
Postimi i plotë nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë
U çel sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, ekspozita “Kosova e Kadaresë”, një homazh kushtuar 90-vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë, shkrimtarit që e bëri gjuhën shqipe pjesë të letërsisë botërore dhe historinë e shqiptarëve pjesë të kujtesës universale. Ekspozita sjell në vëmendje lidhjen e veçantë të Kadaresë me Kosovën, e cila për të nuk ishte thjesht një temë letrare, por pjesë e ndërgjegjes së tij historike dhe e përgjegjësisë intelektuale. Përmes krijimtarisë dhe qëndrimeve të tij publike, Kadare e përcolli çështjen e Kosovës përtej kufijve të saj, duke e ngritur atë në dimensionin e dinjitetit, lirisë dhe identitetit.
“Ai ishte ndër zërat që ndihmuan ta përcillnin të vërtetën e Kosovës përtej kufijve të saj, duke dëshmuar se liria dhe dinjiteti i një populli nuk mund të ndahen nga njëri-tjetri”,-theksoi Ambasadori Petrit Malaj në fjalën e tij me rastin e çeljes së ekspozitës. Përmes një koleksioni të veçantë letrash të rralla drejtuar liderëve botërorë, dorëshkrimesh, botimesh dhe objektesh nga fondi personal i shkrimtarit, si dhe nga koleksionet e institucioneve bashkëpunuese, vizitorët kanë mundësinë të njihen me dimensione të rralla të jetës, krijimtarisë dhe angazhimit të tij intelektual.
kspozita është fryt i bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Shtëpisë Studio Kadare & Agolli – Bashkia Tiranë, me kontributin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe familjes Kadare.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë shpreh mirënjohjen e saj të veçantë për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Shtëpinë Studio Kadare & Agolli Bashkia Tiranë, Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, dhe familjen Kadare, për bashkëpunimin dhe kontributin e çmuar në realizimin e kësaj nisme kulturore.
Në këtë vit jubilar, kujtojmë se trashëgimia e Kadaresë nuk është vetëm një pasuri e letërsisë shqipe, por edhe një urë e qëndrueshme kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe
Kosovës, si dhe një dëshmi e përkatësisë sonë në hapësirën e përbashkët evropiane. “Le të jetë kjo ekspozitë një ftesë për ta rizbuluar Kadarenë, për ta lexuar përmes lidhjes së tij me Kosovën dhe për ta përcjellë veprën e tij te brezat e ardhshëm”, theksoi Ambasadori Malaj. Ambasada fton të gjithë dashamirësit e letërsisë, kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare ta vizitojnë ekspozitën “Kosova e Kadaresë”, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 15 nëntor 2026, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë.
