Thomas Markle, babai i Meghan Markle, bashkëshortes së Princit Harry të Britanisë, është arrestuar nën akuzën e posedimit të materialeve që dokumentojnë abuzimin seksual me fëmijë, përfshirë fotografi ku ai shfaqet me vajza të mitura të zhveshura, të cilat mbaheshin në ambiente magazinimi me qira në Kaliforni, thanë të premten autoritetet ligjzbatuese amerikane.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, tha se agjentët federalë e kishin arrestuar Markle në Florida.
“Zoti Markle dyshohet se ka vënë në shënjestër fëmijë të pafajshëm dhe ka kërkuar t’u vjedhë pafajësinë përmes veprimeve të tij kriminale”, tha ai.
Markle, 82 vjeç, akuzohet për një vepër penale të “posedimit të pornografisë me fëmijë”, thanë prokurorët federalë në Distriktin Qendror të Kalifornisë, në një deklaratë. Ai pritet të paraqitet të premten në gjykatë në Tampa. Nuk ishte e qartë nëse ai kishte një avokat mbrojtës.
“Zoti Markle akuzohet për posedimin e materialeve që dokumentojnë abuzimin seksual me fëmijë, përfshirë fotografi ku ai vetë shfaqet me vajza të mitura”, tha Bill Essayli, ndihmës i parë i prokurorit të Shteteve të Bashkuara. “Këto akuza janë jashtëzakonisht serioze dhe ne do ta ndjekim penalisht zotin Markle në masën më të plotë të parashikuar nga ligji federal.”
Departamenti i Drejtësisë tha se Markle i mbante materialet në dy ambiente magazinimi në zonën e Los Anxhelosit, të cilat i kishte marrë me qira që prej vitit 2008. Agjentët i kontrolluan ato javën e kaluar, pasi morën një urdhër kontrolli.
Sipas kallëzimit penal, agjentët sekuestruan rreth 78 materiale, përfshirë diapozitiva, negativë filmash 35 mm dhe libra që përmbanin pornografi me fëmijë. Një deklaratë e depozituar së bashku me kallëzimin thoshte se të paktën dy prej kuadrove në negativët e filmave të ruajtur në ambientet e magazinimit tregonin një burrë, të identifikuar nga një dëshmitar si Markle, me një “vajzë të zhveshur para pubertetit”, në poza “të krijuara për të nxitur një reagim seksual te personi që i shikon”.
Pallati Buckingham dhe një zëdhënës i Meghan Markle nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment.
Autoritetet në Filipine, ku Thomas Markle kishte jetuar më parë për një periudhë kohe, nisën hetimet ndaj tij muajin e kaluar, lidhur me pretendimet se ai kishte poseduar imazhe të abuzimit seksual me fëmijë. Muajin e kaluar, policia britanike tha se do t’ua referonte akuzat ndaj tij agjencive ligjzbatuese të huaja, pasi kishte konstatuar se pretendimet nuk u ishin përcjellë autoriteteve të tjera kur ishin marrë fillimisht.
Sipas deklaratës së betuar, FBI-ja e nisi hetimin ndaj Markle në tetor, pasi mori informacion nga një dëshmitar, i cili tha se kishte zbuluar materiale të dyshuara të abuzimit me fëmijë mes sendeve të Markle në Filipine. FBI-ja foli gjithashtu muajin e kaluar me një dëshmitar të dytë, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur në deklaratë, i cili zbuloi se Markle kishte marrë me qira të paktën një ambient magazinimi në Kaliforni.
Të paktën njëra prej fotografive të shqyrtuara nga FBI-ja tregon se Markle po qëndronte në një hotel ose motel në Filipine në kohën kur ishte realizuar fotografia me një aparat fotografik me film 35 mm. Ky përfundim u nxor nga logoja që shihej në jastëkët mbi krevat.
Nëse shpallet fajtor, Markle mund të dënohet deri në 20 vjet burg, tha Departamenti i Drejtësisë.
Markle i mohoi akuzat për posedim të pornografisë me fëmijë kur ato dolën fillimisht në publik, duke i thënë gazetës Daily Mail se pretendimet ishin të pavërteta dhe “gënjeshtra të neveritshme”.
Meghan Markle, amerikane që u martua në vitin 2018 me djalin më të vogël të Mbretit Charles, ka deklaruar se ishte “thellësisht e tronditur” nga këto akuza, shkruan Reuters.