Vendosni fjalën kyçe....

“Më shumë shah, më shumë mendje të mprehta”, Rama premton buxhet të dedikuar për shkollat për këtë sport


Kryeministri Edi Rama ka njoftuar rritjen e mbështetjes për zhvillimin e shahut në shkollat e vendit, duke bërë të ditur se qeveria do të vendosë në dispozicion një buxhet të dedikuar për zgjerimin e kësaj disipline sportive në sa më shumë institucione arsimore.

Gjatë një vizite në ambientet e reja të Federatës Shqiptare të Shahut në Tiranë, ku u takua me shahistë nga e gjithë Shqipëria, Rama e cilësoi shahun si një aktivitet veçanërisht të rëndësishëm për zhvillimin mendor të fëmijëve, sidomos në kushtet e ekspozimit të tyre ndaj informacionit të shumtë që vjen përmes internetit dhe rrjeteve sociale.

“Shahu në shkolla, për fëmijët, është sot më i rëndësishëm se asnjëherë tjetër. Është një ushtrim shumë i shëndetshëm i mendjes, në kushtet kur mendja e fëmijëve tanë është e kërcënuar nga një furi e tërë të dhënash që hyjnë përmes celularëve, rrjeteve sociale, përmes një bote të re, që për fëmijët ka shumë më tepër rreziqe e dëme sesa ka të mira”, u shpreh kryeministri.

Ai bëri të ditur se qeveria ka nisur procesin për zgjerimin e aktiviteteve sportive në shkolla, duke përfshirë edhe disiplina të reja. Sipas Ramës, shahu është futur në shkolla që prej vitit të kaluar, por synimi është që kjo nismë të shtrihet më tej përmes një mbështetjeje të posaçme financiare.

“Ne e kemi nisur procesin për të zgjeruar lëvizjen sportive në shkolla, duke futur disiplina të reja. Shahu është futur që vjet, por do t’i japim një vëmendje e buxhet të veçantë për ta shtrirë në sa më shumë shkolla”, deklaroi Rama.

Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri e shoqëroi njoftimin me mesazhin “Shahu ka shtëpinë e tij”, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për komunitetin e shahut në Shqipëri.

“Një hap i rëndësishëm për komunitetin shahistik dhe një mbështetje e re për shahun në shkolla, me buxhet të dedikuar për ta shtrirë në sa më shumë shkolla të vendit. Më shumë shah, më shumë mendje të mprehta”, shkroi Rama.