2026 pritet të jetë viti i dytë më i nxehtë në histori, bota kalon pragun 1.5°C

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 07.11.2026, 07:29

Viti 2026 pritet të renditet si viti i dytë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, ndërsa ngrohja globale vijon me ritme shqetësuese. Sipas të dhënave të shërbimit evropian Copernicus, ekziston një mundësi prej 20% që temperaturat globale të barazojnë ose të tejkalojnë rekordin e vitit 2024. Ekspertët parashikojnë gjithashtu se temperatura mesatare globale do të jetë mbi 1.5 gradë Celsius krahasuar me nivelet para-industriale, duke tejkaluar pragun e përcaktuar nga Marrëveshja e Parisit.

Një nga faktorët që po ndikon në rritjen e temperaturave është fenomeni El Niño, i cili ngroh sipërfaqen e oqeaneve dhe përforcon efektet e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor. Sipas Copernicus, tetori shënoi temperatura rekord, me mesataren globale të ajrit pranë sipërfaqes 1.75 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale. Ekspertët paralajmërojnë se ndërthurja e këtyre faktorëve po shton intensitetin e valëve të të nxehtit në mbarë botën.

Raporti publikohet në prag të konferencës së OKB-së për klimën, COP31, që pritet të mbahet në Turqi për dy javë. Takimi zhvillohet pas një viti të shoqëruar me përmbytje vdekjeprurëse në Nepal, temperatura ekstreme në Evropë dhe zjarre të mëdha në Indonezi. Të dhënat e reja pritet të rrisin presionin ndaj qeverive për të ndërmarrë masa konkrete për reduktimin e emetimeve dhe përballimin e pasojave të ndryshimeve klimatike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit