“Jelekët e Verdhë” rikthehen në rrugët e Francës, 70 mijë forca policore në gatishmëri
Protestat në Francë vijojnë edhe këtë të shtunë, për të katërtin fundjavë radhazi, ndërsa autoritetet kanë marrë masa të rrepta sigurie për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Në qendër të vëmendjes është Parisi, ku lëvizja e “Jelekëve të Verdhë” synon të afrohet pranë institucioneve kryesore të pushtetit.
Protestat vijnë vetëm dy ditë pas një mobilizimi mbarëkombëtar, ku qindra mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kërkuar rritjen e fuqisë blerëse. Sipas autoriteteve franceze, në demonstrata morën pjesë 575 mijë persona, ndërsa sindikata CGT pretendon se numri arriti në 1.6 milionë.
Lëvizja e re protestuese synon të mbajë presionin ndaj qeverisë, përpara dialogut me sindikatat dhe përfaqësuesit e punëdhënësve, të parashikuar për të hënën.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, ka deklaruar se qeveria është e gatshme të dëgjojë kërkesat e qytetarëve për pagat dhe fuqinë blerëse, si dhe shqetësimet e sektorit të biznesit.
Ndërkohë, organizatat rinore dhe disa sindikata kanë thirrur një protestë të veçantë në Paris, me sloganin kundër rritjes së kostos së jetesës dhe në mbështetje të të rinjve. Marshimi i autorizuar do të zhvillohet mes shesheve République dhe Nation.
Nga ana tjetër, “Jelekët e Verdhë” kanë njoftuar një tubim të pavarur në sheshin Concorde, pavarësisht se autoritetet nuk e kanë autorizuar këtë grumbullim. Përfaqësuesit e lëvizjes kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë aty nga ora 14:00 deri në 19:00.
Në total, protestuesit parashikojnë rreth 120 demonstrata në të gjithë Francën, një numër dukshëm më i ulët krahasuar me 1,700 tubimet e zhvilluara më 17 tetor.
Për të garantuar rendin dhe sigurinë, autoritetet kanë angazhuar rreth 70 mijë policë dhe xhandarë në të gjithë vendin. Masat synojnë të shmangin përsëritjen e episodeve të dhunës dhe grabitjeve të regjistruara gjatë protestave të mëparshme.
/vizionplus.tv




